Në kulmin e Luftës së Ftohtë, atëherë kur Lufta e Tretë Botërore ishte më pranë se kurrë, këshilltarët kishin bërë gati një fjalim për Mbretëreshën e Anglisë, të cilin do e lexonte pasi të shpërthente lufta bërthamore mes Bashkimit Sovjetik dhe Perëndimit. Fjalimi imagjinohej sikur do të mbahej nga Mbretëresha e Anglisë të premten më 4 mars të vitit 1983.
“Kur fola për ju më pak se tre muaj më parë, ne të gjithë po shijonim ngrohtësinë e Krishtlindjeve nën shoqërinë e familjeve. Mendimet tona ishin përqendruar tek lidhjet e forta mes gjeneratave. Tmerret e luftës dukeshin gjithmonë e më të largëta, ndërkohë që unë dhe familja ime po ndanim gëzimin e Krishtlindjeve.
Tani çmenduria e luftës është duke u përhapur sërish në botë dhe vendi ynë trim duhet të përgatitet sërish për të mbijetuar kundrejt shanseve të mëdha.
Nuk e kam harruar kurrë dhimbjen dhe krenarinë që kam ndjerë kur unë dhe motra ime mblidheshim kruspull duke dëgjuar fjalimet frymëzuese të babait tim në ato ditë të tmerrshme të vitit 1939.
Për asnjë moment nuk e kisha imagjinuar se një detyrë e tillë solemne dhe e tmerrshme do më binte mua.
Ajo që di është se rreziqet me të cilat përballemi sot janë më të mëdha se kurrë ndonjëherë në historinë tonë. Armiku nuk është ushtari me pushkë dhe as piloti që fluturon mbi qiejt tanë, por fuqia vdekjeprurëse e teknologjisë së abuzuar.
Por çfarëdo tmerri të na presë ne, fuqia jonë do jetë sërish ajo që na ka ndihmuar të mbajmë të paprekur lirinë tonë dy herë gjatë këtij shekulli të trishtuar.
Im shoq dhe unë ndajmë me familjet kudo në vend frikën që ndjejmë për djemtë dhe vajzat tona, burrat dhe vëllezërit që na kanë lënë për të dalë në shërbim të vendit. Djali im i dashur, Andrew, në këtë moment është në aksion me njësitin e tij dhe ne lutemi vazhdimisht për sigurinë e tij dhe sigurinë e të gjithë atyre ushtarakëve që janë në shërbim dhe grave të tyre në shtëpi dhekudo jashtë vendit.
Është kjo lidhje e ngushtë në jetën familjare që duhet të jetë mbrojtja jonë më e madhe ndaj të panjohurës.
Nëse familjet mbeten të bashkuara dhe të vendosura, duke u dhënë strehëatyre që jetojnë vetëm dhe të pambrojtur, vullneti i vendit tonë për të mbijetuar nuk mund të thyhet.
Mesazhi im për ju është i thjeshtë. Ndihmoni ata që nuk mund të ndihmojnë veten, jepuni strehë të vetmuarve dhe të pastrehëve dhe lejoni që familja juaj të bëhet fokusi i shpresës dhe jetës për ata që kanë nevojë. Ndërsa ne përpiqemi së bashku për të luftuar të keqen e re, le të lutemi për vendin tonë dhe për njerëzit e vullnetit të mirë kudo që ndodhen. Zoti u bekoftë të gjithë” thuhet ne fjalim.
Social Plugin