“Zero Bandat”: Gardianët grekë do të bien në pritën tonë

Të gjithë gardianët që morën pjesë në torturimin, dhe vrasjen në grup të Ilia Karelit quhen nga sot të shënjestruar. Ky paralajmërim kërcënues është dhënë në shenjë hakmarrjeje ndaj vrasjes së 42-vjeçarit shqiptar, Ilia Kareli.

Grupi i vetëquajtur “Zero Bandat”, ka theksuar në një deklaratë se ky sulm është “akt minimal kujtese” për vrasjen e Ilia Karelit, shqiptarit i cili u gjet i vdekur në qelinë e burgut Nigritas më 28 mars të këtij viti, pas torturave makabre që i bënë gardianët në prani dhe dijeni të vetë drejtorit të burgut.
Sipas medieve greke, grupi në fjalë ka pranuar autorësinë e shpërthimit të një granate në automjetin e një prej gardianëve, G.Baradaki, ndodhur më 8 prill në Egaleos. Deklarata e grupit kriminal ndaj gardianëve përfshin kërcënime të forta për jetën e tyre.
“Paralajmërim: Të gjithë gardianët që morën pjesë në torturimin, vrasjen në grup të Ilia Karelit quhen nga sot të shënjestruar. Njoftojmë që ata që nuk u arrestuan, emrat e tyre janë të njohura përmes akt-akuzës por edhe nga të burgosurit. Janë në listën përfundimtare “të fshirjes”. Kudo që të fshihen, në çdo detyrë që të ndërrojnë ta dinë që do t’i zbulojmë dhe do të bien në pritën tonë. Sa u përket gardianëve të burgosur, ata të dinë që në çdo burg apo sektori sigurie që të shkojnë do të takohen me fatin e tyre. Orët e tyre janë të numëruara”, thuhet në paralajmërimin e grupit “Zero Bandat”.