Rrëfimi i familjes së kamikazit nga Kosova që vrau 50 persona në Bagdad

Familjarët e kamikazit kosovar, Blerim Heta, i cili javën që shkoi në një sulm vetëvrasës, në Bagdad, vrau mbi 50 persona, thonë që atë e mashtruan. Ata konfirmojnë se Blerimi ishte dëgjues i rregullt i ligjëratave të Shefqet Krasniqit, por edhe i ligjëratave të Bekir Halimit e Omer Bajramit nga Maqedonia. Express sjell edhe letrën e fundit që kishte shkruar për të ëmën e tij Blerim Heta.

Më 24 mars familja Heta nga Varoshi i Ferizajt pranoi një telefonatë nga djali i tyre, Blerim Heta, për të cilin e dinin se po mësonte për fe në Siri. "Nesër do të takohem me All-llahun”, ishte ajo cfarw i tha Heta familjes së vet.

Të nesërmen, më 25 mars, kosovari Blerim Heta kreu një sulm vetëvrasës në Bagdad të Irakut, ku la mbi 50 të vrarë. Forumet e xhihadit në internet e shpallën menjëherë shehid (dëshmor).

Familja e Blerim Hetës thotë se djalin e humbën për asgjë.

“Pas kësaj që më ndodhi më s’dua të dëgjoj për fe , për selam e kësi sene. Djalin ma mashtruan. Ne jemi familje evropiane, lidhje nuk kemi me kësi ekstremizma, por djalin mashtruan”, thotë për Express babai i tij, Remzi Heta.

Ai nuk flet gjatë, pos thotë që ka një mesazh për të gjithë ata prindër që i shohin fëmijët e tyre se po bëhen ekstremist.

“Ndalni sa nuk është vonë”, shprehet Heta.

Arjeta Heta-Reqica, motra e Blerim Hetës që kreu sulmin në Bagdad, thotë se vëllai i tyre është dukur krejt normal, deri kah prilli i vitit 2012 , kur thotë se filloi të shoqërohej me njerëz që aplikonin një islam tjetër- më radikal.

“Vëllai ka filluar me fe ka prilli i 2012’së dhe tek pas një viti ia ka nisur që të na flas edhe neve në shtëpi për fe. Pas një viti, duke u shoqëruar me një shoqëri që ne nuk i dinim saktë se kush ishin, por e shihnim që ishin më ekstremist se sa njerëzit që kishim parë kohë më parë duke shkuar në xhami, ai ndryshoi komplet, sa që u izolua. Nuk ia jepte dorën as çikave të axhës dhe as nuk na bashkohej nëpër festa familjare”, thotë Arjeta.

Por, Arjetës më së shumti i dyshimet në nxitje të Blerim Hetës për në islamin radikal i shkojnë te ligjëratat.

“Ai ka qenë po thuaj e i rregullt në ligjëratat e Shefqet Krasniqit. Ka shkuar edhe në Maqedoni. Në fillim e kem ditur që po shkon me shoqëri për qef, por më vonë e kemi marr vesh se ai ka qen në ligjërata të këtyne hoxhallarëve si bekri Halimi ore Bajrami e qisi që folin për xhihad. Edhe në internet i ka dëgjuar shumë ligjëratat e tyre”, thotë Arjeta për Express.

Në bisedë të pranishëm ishin edhe vëllai i Blerim Hetës, Bekimi dhe e ëma e tij, Minirja. Askush nga ta nuk pranon që të fotografohet, derisa të gjithë e kujtojnë Blerimin, tash i njohur si kamikazi kosovar që vrau mbi 50 vetë në Bagdad, si një djalë që kurrë nuk ka gënjyer.

Nëna tij, thotë që nuk ka shumë çka të flas. Ajo vazhdon ta ruaj letrën e fundit të Blerimit që ia kishte shkruar në gushtin e viti 2013, kur edhe u nis tinëz për në Siri.

Express e sjell të plotë letrën, ku Blerim Heta i shkruan së ëmës që nëse nuk takohem në këtë botë, do të takohemi në Xhennet (parajsa sipas besimit islam).
Makina e kuqe që e morri për Siri

Një dëshmitar i kishte thënë familjes se ditën e 7 gushtit, kur Blerim Heta iku nga shtëpia në Varosh të Ferizajt për të shkuar në Siri, e kishte marrë një makinë e kuqe, e cila si pasagjerë kishte edhe tre burra në moshë e me mjekra të gjata.

Familja thotë se kurrë nuk e zbuloi se kush mori djalin e tyre. Ai atë ditë ishte vetëm në shtëpi, pasi që prindërit dhe vëllezërit kishin qenë në Gjermani, derisa motra e tij, Arjeta Heta-Reqica, tash e martuar, kishte qenë tek shtëpia e burrit të saj.

Kjo familje ishte kthyer në Kosovë në vitin 2000, derisa të gjithë fëmijët saj kishin lindur e rritur në Gjermani. Blerim Heta e ka kryer shkollën e mesme në Ferizaj, derisa provoi disa herë që të vazhdonte studimet dhe ishte regjistruar herë në Universitetin Publik e herë nëpër universitet e private. Ai provoi të studionte psikologji, gjuhë anglez e gjuhë gjermane, por asnjëherë nuk e përfundoi asnjërin nga këta fakultete.
Për më shumë se një vit e gjysmë ai kishte punuar edhe në kampin amerikan të KFOR’it në Kosovë, “Bondsteel”.

Megjithëse familja e njohin si njeri që nuk ka gënjyer kurrë, ai kur u bashkua me grupet e xhihadit në Siri, filloi edhe këtë cilësi. Sipas motrës së tij, Arjeta Heta-Reqica, Blerimi vazhdimisht u kishte thënë atyre që nuk është pjesë e grupeve të xhihadit por që po mësonte për fenë dhe gjuhën arabe në Siri dhe kur të kthehej në Kosovë do tua mësonte edhe atyre fenë.

Këtë praktikë e kishte vazhduar deri në dhjetorin e vitit 2013, kur në një telefonatë i tregoi motrës së tij që tashmë ishte pjesë e xhihadit.

“Këtë ia kam mbajtur fshehur nënës, i kam thënë edhe Blerimit mos i kallo se nëna vuan edhe prej sëmundjes së sheqerit. As baba nuk e ka ditur”, thotë ajo.

Financat nga Shteti Islam

Familja thonë se me Blerimin kanë komunikuar përmes “Skype" dhe përmes numrit të tij personal të “Z-Mobile” që e kishte marrë me vete.

“Telefonin ia kemi mbushur me para ne. E kemi pyetur shpesh se a ke nevojë për para, por na ka thënë se nuk i duhen se paratë i merr nga xhamia. I merr nga Shteti Islam" thotë vëllai i tij, Bekimi.

Ai pohin se është interesuar që vazhdimisht të dijë se kah po financohen, dhe i ka bërë ofertë që t'i dërgojë para nga Gjermania , për më shumë, sipas tij, për të rënë në kontakt të drejtpërdrejtë me të, por ai nuk ka pranuar.

E ëma dhe motra e Blerim Hetës thonë që e kanë lutur që edhe të takohen diku në Stamboll, por ai nuk kishte pranuar.

“Na thoshte se duhet me i pyetur këta këtu, pa treguar saktë se kë, por në fund nuk pranoi të takohemi dhe pse kurrë nuk na tha jo përfundimisht”, thotë Arjeta.

Ajo thotë edhe se tashmë është e bindur që dikush e kishte mashtruar keq. “Nganjëherë duke folur me ne në “Skype” largohej, Ai fliste dhe me dikë. Dikush po e mësonte për keq”, thotë Arjeta për Express.

Blerim Heta arsyetonte vrasjen e pabesimtarëve

Arjeta mendon që vëllai i saj është pre e karakterit të tij të mirë dhe naivitetit që ka treguar herë pas here.

“Ai sa ka qenë në Kosovë e ka pasur mërzi edhe një pulë me e pre. Kur i kam thënë, në bisedat në “Skype” a telefon, se qysh ta merr mendja me e vra dikand, ai më ka thënë që të pa fetë bënë të vriten dhe menjëherë më fliste për vrasjet e fëmijëve sirian nga Assadi”.

Ajo thotë se të tilla video me masakra ndaj fëmije sirian ka shikuar edhe në Kosovë, para se të nisej për Siri.

Familja habiten se si Blerimi ndryshoi drastikisht, kur shkoi në Siri.

“Këtu ka folur kundër Assadit. Edhe në fillim kur ka shkuar në Siri ka thënë fjalë të këqija për të, por ka fundi i viti 2013 ai fillo të fliste keq edhe për amerikanët. Thoshte se ata janë pabesimtave dhe meritojnë të vriten”, thotë për Express Arjeta.



Familja: Njerëzit që e mashtruan haptazi vazhdojnë ftesat për xhihad nga Ferizaj

Megjithëse familja nuk pranojnë të flasin me emra, ata hedhin dyshime për disa thirrës lokal në xhihad nga Ferizaj. Thonë se ata njerëz që bëjnë thirrje hapur për xhihad dhe askush s’po i ndal.

“Në Facebook i ka Policia ata njerëz. E dinë cilët janë. Ata haptazi thirrin për luftë. Po çuditemi e si s’po merret shteti me ta”, thotë Arjeta për Express.

Ajo bënë me dije se njerëzit me të cilët para se të shkonte në Siri shoqërohej me ta Blerimi janë ende po aq aktiv në rrjetet sociale në thirrje për xhihad.

“Ka edhe djemë tjerë që i kanë qu në Siri e janë atje, por edhe shumë të tjerë që po i marrin pas vetës”, thotë Arjeta.

Ajo thotë e do të donte që rasti i Blerim Hetës, vëllait të saj, të ishte i fundit në Kosovë nga njerëzit që janë mashtruar nga manipulonte për ti dërguar për të luftuar në Siri.

Babai i ti, megjithëse flet pak, thotë se atje s’kanë çka luftojnë.

“Ne ende nuk e kemi hequr armikun më të madh, Serbinë nga territori ynë. Kushdo që po i mëson për të shkuar në Siri po i mëson mbrapsht. Nëse duhet të luftojë dikush duhet të luftoj për Kosovën”, thotë Remzi Heta.

Express të martën që shkoi ka raportuar që edhe një kosovar i ishte shtuar numrit të dhjetar shqiptarëve të rënë në luftën që po e bën organizata ‘Shteti islam i Irakut dhe Shamit”- ISS , apo i njohur edhe si “Deuleja”.

Gazeta posedonte emrin dhe fotografinë e Blerim Hetës, por për shkaqe etike atë ditë nuk e kishte publikuar atë.