Ana e errët e Rrugës së Kombit

Një mori dokumentesh zyrtare që detajojnë për herë të parë se si lobimi, planifikimi i dobët, “tenderët pa konkurrencë”, dështimi për të vendosur kapak të çmimit dhe çmimet e “fryra” kanë lënë taksapaguesit shqiptarë dhe kosovarë me një faturë prej dy miliardë eurosh për vetëm 137 km autostradë që shtrihet në Kosovë e Shqipëri, shkruan Gazeta Jeta në Kosovë.

“Rruga e Kombit” shtrihet nëpër këndin më të varfër dhe më të largët në Evropë, ku shumë fshatarë ende jetojnë në kushte të vështira, duke luftuar që ta çojnë muajin deri në fund.

Autostrada e gjatë 134 km me katër korsi që lidh kryeqytetet e Shqipërisë dhe Kosovës ka nxjerrë dy miliardë euro nga “portofolët” e të dyja vendeve – që u detyruan të devijojnë fondet nga shumë projekte tjera shumë të nevojshme, si ndërtimi i shkollave, spitaleve dhe rrugëve tjera më pak të kushtueshme, shumë prej të cilave mbeten të pashtruara.

Pas një hulumtimi gjashtëmujor, BIRN-i publikon dokumentet e panxjerra nga Shqipëria dhe Kosova me detaje të shkallës së keqmenaxhimit dhe kostove të rritura e të pandalshme të cilat kanë nxitur deri më tash tri hetime për korrupsion, abuzim të detyrës dhe keqbërje të lidhura me kontratën.  

Të ndërtuara mbi premisat e krijimit të pasurisë nga ngritja e tregtisë dhe turizmit, çmimi i fundit për rrugët së paku ishte dyfishuar në të dyja vendet nga çmimet fillestare të ofruara. 

Tregtia në mes Shqipërisë dhe Kosovës ka shënuar vetëm një rritje modeste prej se është hapur rruga vitin e kaluar, por nuk ka çuar në rreshtimin e kamionëve që zakonisht shihen në kufijtë tjerë të Ballkanit. Ekspertët vlerësojnë se rruga po përdoret vetëm në 10 për qind të kapacitetit të saj.

Në anën tjetër, kompania ndërtuese Bechtel-Enka përvetësoi profite me qindra miliona euro falë pjesërisht, sipas argumenteve të kritikëve, kontratës së majme në favor të tyre, çmimit të lartë dhe kthimit të taksave. 

Tenderi i shpejtë

Kontrata për të ndërtuar fazën e parë të autostradës për ta lidhur Tiranën me kufirin e Kosovës ishte dhënë më 2006 me procedura të shpejta të prokurimit, të cilat Banka Botërore dhe të tjerët i quajtën procedura jokonkurruese dhe të paligjshme. 

Gjiganti amerikan i ndërtimit “Bechtel” dhe partneri i tij turk “Enka” fituan kontratën për të ndërtuar pjesën prej 61 kilometrash për 418 milionë euro. 

Ambasada e ShBA-së ndihmoi në tejkalimin e shqetësimeve të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) në lidhje me trajtimin e procesit tenderues në Shqipëri, duke arsyetuar se rruga do të zhvillojë ekonomitë si në Kosovë dhe Shqipëri. 

Në fund kostot shkallëzuan në Tiranë duke u derdhur përfundimisht 950 milionë euro për rrugën, sipas një emaili të rrjedhur nga ministri i atëhershëm i Financave, Ridvan Bode. 

Kontrata për të ndërtuar pjesën e Kosovës i ishte dhënë në prill 2012 partneritetit të njëjtë, pas lobimit të ambasadorit të atëhershëm në Kosovë Christopher Dell. 

Dell pastaj u punësua nga Bechtel si drejtor shteti në Afrikë, duke ngritur dyshime në mesin e vëzhguesve në lidhje me ndershmërinë e kontratës.  

Zëdhënësja e “Bechtelit” fuqimisht mohoi ndonjë sjellje të pahijshme dhe insistoi se Dell ka respektuar rregullat e Departamentit të Shtetit të ShBA-së menjëherë pas afrimit të kompanisë ndaj tij me një ofertë potenciale për punë, pasi që ai përgatitej të largohej nga Kosova, duke përfshirë çdo tërheqje të tij nga çdo çështje që lidhej me kompaninë. 

Por një diplomat i lartë, Andrea Capussela, i caktuar për mbikëqyrjen e ekonomisë së Kosovës bëri thirrje Departamentit të Shtetit për të shqyrtuar përkrahjen e Dellit për skemën, duke marrë parasysh punën e re të ish-ambasadorit.

Nuk ka asnjë sugjerim që Dell nuk ka përfillur me rregullat e ShBA-së. Gjersa ekziston periudha prej një viti para se ish ambasadorët mund të lobojnë në emër të qeverisë së ShBA-së në emër të një kompanie private, atyre nuk u ndalohet që të marrin një punë në sektorin privat ku ata ndihmuan për të siguruar një kontratë. 

Shpenzimet në Kosovë shkallëzuan po ashtu, pasi që qeveria dështoi për të marrë parasysh këshilltarin e saj ligjor për të caktuar një çmim fiks për autostradën. Kostoja u ngrit nga 400 milionë euro për 102 km të autostradës në 838 milionë euro për 77 kilometra. 

Bechtel-Enka ka pranuar më shumë nga kuleta publike kosovare në vitet 2011, 2012 dhe 2013 se çdo ministri tjetër. Në të njëjtën kohë, projektet tjera infrastrukturore, duke  përfshirë ndërtimin e disa shkollave mbetën për më vonë. 

BIRN-i ka marrë dokumente kyçe për ndjekjen penale të dështuar të Lulzim Bashës – politikanit shqiptar që nënshkroi marrëveshjen në Tiranë me akuzat për “shpërdorim detyre” në lidhje me kontratën. 

Në mesin e akuzave tjera, dokumentet zbulojnë se çmimet e Bechtel-Enka-s ishin më shumë se dyfishi i kontraktorëve vendorë, duke u kushtuar taksapaguesve shqiptarë para shtesë prej 191 milionë eurosh.

Sipas dokumenteve të prokurorisë, “të gjitha çmimet e dorëzuara nga kompania fituese janë disa herë më të larta sesa çmimet shqiptare”. Shifrat ishin përpiluar nga dy auditorë të shtetit të cilët nxorën një raport me 158 faqe deri më tani të papublikuar, duke detajuar problemet me kontratën e autostradës. 

Të gjeturat formuan bazën e rastit për hetim kundër Bashës dhe dy këshilltarëve të tij, Andi Tomës dhe Armand Teltit. Të gjithë mohuan ndonjë keqbërje dhe rasti u hodh poshtë më 2009 për shkak të hollësirave tekniko-ligjore.