Adidas, Nike dhe Tom Tailor prodhoheshin në Podujevë e shiteshin në Prishtinë

Tre brendet më të njohura botërore si Adidas, Nike dhe Tom Tailor, është gjetur ti prodhojë edhe një fabrikë e vogël në qytetin e Podujevës ndërsa shitja bëhej nëpër disa dyqane në Prishtinë

Ky falsifikim është zbuluar sot nga Dogana e Kosovës dhe Administrata Tatimore, ku në punëtorinë në Podujevë kanë gjetur materiale të nevojshme të cilat kanë shërbyer për falsifikimin e produkteve dhe mashtrimin e konsumatorëve.

Kështu njofton Dogana e Kosovës e cila së bashku me Administratën Tatimore gjatë dy ditëve të kaluara kanë zhvilluar një aksion me qëllim të zbatimit të urdhëresës së Gjykatës Themelore të Prishtinës e cila përfshinte bastisjen e katër lokacioneve dhe kontroll dokumentar në një lokacion në Podujevë.

“Tri bastisje janë realizuar në Prishtinë në pika të ndryshme, sepse është dyshuar se ka mallra të falsifikuara. Të gjitha bastisjet janë realizuar me sukses ku edhe është konfiskuar një sasi e konsiderueshme e mallrave të falsifikuara. Kurse gjatë bastisje në regjionin e Podujevës oficerët doganor kanë zbuluar një punëtori për falsifikimin e produkteve të veshmbathjeve. Menjëherë është ndërprerë puna e kësaj punëtorie dhe kanë filluar procedurat ligjore”, thuhet në njoftimin që ka ardhur në redaksinë e Agjencisë së lajmeve KosovaPress.

Dogana njofton se pas përfundimit të procedurave hetimore pritet ngritja e kallëzimit penal për veprat e prodhimi ilegal, falsifikimit të markave tregtare dhe mashtrimit të blerësve.