Muhamed Zekiri, 18 vjeç nga Ohri dhe Bunjamin Imeri nga fshati Gërçec i Shkupit janë dy autorët e sulmit të vrasjes bashkë me shtetasin e Kosovës, Qëndrim Ramadani.
Vrasja e tre policëve turq në Anadollin e Jugut në Turqi ku autorët e sulmit janë xhihadistë nga Maqedonia dhe Kosova, ka rikthyer këtë çështje në qendër të vëmendjes edhe në Maqedoni.
Muhamed Zekiri, 18 vjeç nga Ohri dhe Bunjamin Imeri nga fshati Gërçec i Shkupit janë dy autorët e sulmit të vrasjes bashkë me shtetasin e Kosovës, Qëndrim Ramadani.
Kush janë dy xhihadistët nga Maqedonia
Muhamed Zekiri është 18 vjeçari nga Ohri, për të cilin thuhet se nga mosha e mitur kishte shkuar në Tiranë për të studjuar teologjinë në Medresenë e Tiranës. Albinfo.ch mëson se bëhet fjalë për djaloshin e familjes Zekiri, e cila vite më parë ishte shpërngulur nga fshati Tatesh për të jetuar në Ohër.
Nga Myftinia e Ohrit theksojnë se nuk kanë shumë njohuri për Muhamedin, sepse nxënësit që shkojnë për të studiuar në Medresenë e Tiranës këtë e bëjnë në mënyrë private dhe pa asnjë ndërhyrje apo regjistrim të bërë nga institucionet fetare të Maqedonisë.
Familja e tij është mbyllur në shtëpinë e tyre dhe nuk ka asnjë lëvizje.
Por edhe fqinjët e tij në Ohër theksojnë se nuk e njohin atë, sepse që nga mosha e vogël është larguar nga shtëpia.
Ministria e Brendshme ka folur dy shtetasit e Maqedonisë, duke theksuar se ata pak janë të njohur në evidencën e MPB-së.
Zëdhënësi i MPB-së, Ivo Kotevski ka deklaruar për Albinfo se 18 vjeçari M.Z sipas informacioneve nga mosha 16 vjeçare ka shkuar në Siri dhe se ka qenë pjesë e grupeve xhihadiste.
“Ne kemi bërë verifikimin e të dhënave të dyshuarit dhe të gjitha informacionet i`a kemi dërguar autoriteteve turke për hetime të mëtejshme”, deklaroi Kotevski, duke theksuar se janë në kontakt me autoritetet turke.
Muhamed Zekiri i lindur në vitin 1995, disa herë kishte udhëtuar drejt Sirisë, ndërsa për herë ë parë ishte në vitin 2011 dhe se atje kishte qëndruar më shumë se një vit. Ai gjithashtu kishte udhëtuar shpeshherë në destinacionin Ohër – Tiranë dhe kjo ishte evidentuar nga MPB-ja.
Por, MPB nuk ka hollësi të tjera për rastin e autorit të dytë të atentatit, Bunjamin Iseni, i cili nga mediat turke dhe evropiane ishte evidentuar si Benjamin Hu, me origjinë kineze.
Por cila është e vërteta e Benjamin Isenit apo të njohurit si Benjamin Hu. Sipas informacioneve të besuara për Albinfo.ch, bëhet fjalë për 18 vjeçarin Benjamin Iseni nga fshati Gërçec i Shkupit, me shtetësi gjermane, i biri i Nimetulla Imerit, i cili vitin e kaluar humbi jetën në luftimet në Siri përkrahë forcave xhihadiste kundër regjimit të Bashar al – Assad.
Benjamini përdor mbiemrin Hu, pasi që nëna e tij është me origjinë kineze, por me përkatësi fetare myslimane. Kjo familje po jetonte në Berlin. Ai që nga mosha 16 vjeçare ishte në Siri dhe ishte përfshirë në radhët e grupeve xhihadiste nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia, që po luftonin dhe operonin në kufirin turko – sirian. Benjamini u bë i njohur për opinionin vitin e kaluar, kur u paraqit informacioni se ka qenë bashkë me të atin e tij në momentin kur është vrarë dhe se ai ka marrë lëndime në këtë sulm.
Zekiri dhe Iseni, dy xhihadistët e rinj ishin anëtar të grupit më radikal ‘Jabha al Nusra’, e cila është shumë e lidhur me rrjetin terrorist të “Al Kaedas”.
Por si vepron organizimi i tyre drejt Sirisë
Një burim nga grupet fetare në Shkup tha se grupet e tilla që shkojnë për luftë në Siri janë kryesisht nga sekti wahabi.
“Ata janë të organizuar dhe se përmes Shkupit udhëtojnë në Turqi dhe nga shoqatat e atjeshme të këtyre sekteve kalojnë në Siri. Luftëtarët nga Maqedonia rreshtohen në radhët e dy grupeve rebele Al Nusra dhe Isil, që janë fraksione të dyshuara për lidhje me Al – Kaidan dhe që tashmë po kundërshtohen edhe nga grupi më i madh i rebelëve Jabal al – Zawaiya që është Aleanca me orientim demokratik dhe që ka mbështetjen ndërkombëtare. Ka shumë informacione se atje po ndodhin luftime midis këtyre grupeve rebele ku si cak janë rebelët e dy organizatave të lidhura me Al – Kaidan. Deri tani ka raportime për katër të vdekur nga Maqedonia, por dyshimet janë për një numër më të madh”, theksoi për Albinfo.ch, një pjesëtar i komunitetit islam që dëshiron të mbetet anonim.
Bashkësia Fetare Islame në Maqedoni (BFIM) nuk komenton rastin e tillë që sërish ktheu në qendër të vëmendjes grupet salafiste në Maqedoni. “Nuk merremi me raste të tilla dhe nuk na takon neve të komentojmë, duke i`a lënë gjykimin institucioneve tjera përgjegjëse që merren me hetime”, theksoi për Albinfo.ch, zëdhënësi i BFIM, Abaz Islami.
Por ai ka ritheksuar mesazhin e kryetarit të BFIM, Sulejman Rexhepi, i cili disa javë më parë i ka bërë thirrje qytetarëve të besimit islam nga Maqedonia të mos shkojnë për të luftuar në Siri.
“Fenomeni i pjesëmarrjes së shtetasve të Maqedonisë në luftën në Siri nuk mund të kontrollohet, sepse udhëtimi gjer në vend është individual, e jo nëpërmjet ndonjë institucioni”, kishte theksuar kryetari i Bashkësisë fetare Islame në Maqedoni, Sulejman Rexhepi.
Sipas tij, ka shumë dyshime se ku janë të përfshirë luftëtarët vullnetarë që shkojnë nga Maqedonia.
“Thuhet se po solidarizohen me popullin sirian i cili do të lirohet nga një diktaturë e paparë që po zbatohet në Siri, por ka të ngjarë se ka edhe punë të dyshimta në këtë. A ka motiv apo interes të ndryshëm, ajo është punë tjetër, mund të supozojmë, megjithatë nuk jemi të sigurt, sepse nuk kemi argumente apo fakte”, deklaroi Rexhepi.
Çështja e vullnetarëve në Siri është bërë pjesë e debatit politik.
Një parti politike pjesë e koalicionit qeveritar në Shkup ka propozuar që të aplikohen masa ndëshkimore ligjore për shtetasit që luftojnë në konfliktet e ndryshme jashtë vendit, së fundi si pjesë e luftëtarëve në Siri.
Kjo nismë është bërë nga deputeti dhe kryetari i Lidhjes Demokrate në Maqedoni (LDM), Pavle Trajanov, i cili ka kërkuar që përmes Kodit penal të aplikohen masa ndëshkimore për të gjithë pjesëmarrësit në luftërat e huaja. Sipas tij, një nismë e tillë është bërë në Bosnjë – Hercegovinë, Serbi dhe pritet të aplikohet edhe në Kosovë.
Autoritetet shtetërore nuk kanë publikuar vlerësime dhe shifra se sa shtetas të Maqedonisë janë të përfshirë në luftën në Siri.
Masat e pritura ndëshkimore parashikojnë sanksione me burg prej 1 deri në 5 vjet.
Në Turqi u realizua së fundi një operacion i arrestimeve dhe se dyshimet janë për përfshirjen e organizatës humanitare turke IHH, e cila siç thuhet po dërgonte shqiptarët në luftë në Siri. Por, kjo organizatë kurrë nuk i komentoi këto akuza.
Sipas informatave jozyrtare mbi 100 persona nga Maqedonia, Serbia, Kosova, Shqipëria dhe Bosnja marrin pjesë në luftën në Siri.
Social Plugin