Gjithçka mund të thuash për Hauard Reingoldin, përveç se që nuk ka “njohje” me të ardhmen. Në vitin 1985, me “Tools for thought” kishte imagjinuar pasojat e përhapjes së masë të kompjuterit. Në vitin 1992, duke futur konceptin e komuniteteve virtualë, kishte parashikuar rrjetet socialë, në një kohë kur Mark Zukerbergu luante ende me tabelat e shumëzimit. Në vitin 2002, “Smart mobs” kishte parashikuar Sheshin Tahrir dhe Parkun Gezi në Stamboll, por edhe të rinjtë e Maidanit dhe Kievit. Në atë libër, kishte paraqitur “turmat inteligjente” si njësi “që shfaqen kur teknologjitë e komunikimit dhe ato informatike amplifikojnë talentet njerëzorë në dobi të bashkëpunimit”.
Një dekadë më vonë, mes leksioneve në Stanford dhe Berkeley, me atë veshjen e pandryshuar që prej kohës së “Katalogut të Tokës” (ai që mbyllej me shprehjen “Stay hungry, stay foolish”, e cila u bë aq e famshme prej Steve Jobsit) vazhdon që të azhornojë listën e shembujve, është i kënaqur që e ka kapur fenomenin që në momentet e lindjes, por ashtu sikurse cdo mendimtar që respekton vetveten, është më i mbushur me dyshime, se sa me siguri. Pyetja qendrore mbi të cilën reflekton është: a do të arrijë teknologjia të favorizojë, përtej mobilizimit për protesta, edhe një ndryshim të thellë me pasoja jetëgjata?
Nuhatja për librin që sot është edhe më aktual se atëherë, i erdhi në vitin 1999, gjatë një udhëtimi në Japoni. Rrugët e Tokios ishin të mbushura me të rinj që më shumë e vërtisnin në duar celularin, se sa e mbanin në vesh. I quanin Oyayubizoku, “tributë e gishtit të madh”, në gjendje të koordinonin një grup miqsh me një minilistë të Sant’Antonios së sms-ve (shumë kohë përpara grupeve të WhatsApp-it). Thirrja mund të ishte për një birrë, apo për një kortezh. E rëndësishme është që mund tëbëhej në lëvizje, me kohë reagimi të paimagjinueshme. Duke marrë parasysh që Japonia ishte disa vite përpara botës sa i përket lundrimit në internet përmes celularit, vetëm duhej pritur për të parë po këto forca, por në koordinata të tjera gjeografike. “Pak kohë më vonë, do të ndodhte në Filipine”, kujton Raingold. “Në zgjedhjet e vitit 2000, presidenti i korruptuar Estrada u rrëzua edhe falë sms-ve, teksti i të cilave (“Go2EDSA. Wear blk” Shkoni në Epifanio de los Santos Avenue, vishuni me të zeza) ishte përcjellë me miliona herë duke bërë të zbrisnin në sheshe qindra mijëra njerëz të zemëruar”. Këto ditë, i kujtohet edhe një shembull tjetër, pikërisht me rastin e 10-vjetorit. “Të nesërmen e bombave në Madrid, qeveria e Aznarit u përpoq të akuzonte për atentatet separatistët baskë. Edhe në atë rast, masat e njerëzve të grumbulluar me shpejtësi falë thirrjeve me sms sollën fundin e menjëhershëm të tentativës për disinformim, si dhe të ekzekutivit që e kish bërë këtë tentativë”.
Pas daljes së librit, kjo listë shembujsh është shtuar me ritëm të qëndrueshëm. “Edhe qeveritë më të obsesionuara pas kontrollit, si Kina, e kanë pësuar”, kujton Raingold me kënaqësi. Kujton rastin e virusit Sars, për të cilin në fillimn të vitit 2003 lajmi doli falë një fushate të ethshme mesazhesh, deri në atë pikë sa autoritetet u përpoqën ta bllokojnë duke e shpallur shkelje përhapjen e lajmeve për epideminë me sms. Nëse mes viteve 2002 dhe 2004, zgjedhjet në Ganë dhe në Kenia rregjistruan më pak manipulime se në të kaluarën, kjo ka ndodhur edhe falë monitorimit të aktivistëve të “armatosur” me celularë. Deri tek rastet e protestave në Turqi, vitin që kaloi, dhe atyre në Brazil gjatë gjashtë muajve të fundit.
“Që këto teknologji informacioni funksionojnë shumë mirë në nxitjen dhe koordinimin e aksionit politik nga poshtë”, thotë Raingold, “tani nuk ka më asnjë dyshim. Por, ndërkohë që më parë qeveritë ishin relativisht injorante përballë kësaj teknologjia, tashmë e njohin shumë mirë dhe përpiqen ta ndalin me mjete represivë”. Në ditët e protestave në sheshin Tahrir, ata që nuk mundeshin të bashkoheshin me protestuesit në sheshe, të paktën vinin në dispozicion të tyre rrjetet e tyre jokabllorë të internetit, duke u hequr fjalëkalimin. Kështu, të nesërmen ministrat e Mubarakut e “fikën” internetin në të gjithë vendin. Dhe Sekretarja e Shtetit, Hilari Klinton kërcënoi me pasoja të rënda për këtë represion kibernetik të paprecedentë. “A ka nevoja më bindëse për të kuptuar se sa i rëndësishëm ka qenë interneti për rrëzimin e një regjimi?” bën pyetjen retorike futurologu.
Në atë rast, revista Foreign Affairs kishte organizuar një debat mes Clair Shirky, profesor i mediave të reja në Universitetin e Nju Jorkut i cili mbështeste funksionin themelor instrumental të teknologjisë në pranverën arabe, dhe Malkolm Gladuellit, gazetar dhe autor i librave best seller “planetarë” i cili e vinte në lojë efektin e tyre. “Nuk kmendoj që Gladuelli ka ndonjë kompetencë sociologjike, sidomos sa i përket mediave të reja”, thotë Raingoldi. “Nëse doni një analizë serioze, ju këshilloj të lexoni Zeynep Tufekci, që jem mësim në Karolinën e Veriut, por që ka shkuar në vendet ku janë zhvilluar shumë prej këtyre protestave”.
Për lehtësi, po ju përmbledh që studiuesja me origjinë turke pranon që teknologjitë kanë një rol jo të vogël, por sheh një limit të përbashkët: funksionojnë shumë mirë në fazën kundërshtuese, por shumë më pak në atë ndërtuese. Ose më saktë, për të thirrur në protesta ata që dinë se cfarë nuk duan, por që më pas nuk i kanë të qarta idetë se ku duan të shkojnë.
Më tej, Raingold shton: “Nuk ka nevojë të jepemi pas ndonjë lloj mendimi magjik në lidhje me teknologjinë. Të klikosh në favor të një peticioni është më mirë se asgjëja, por është gjithashtu shumë më pak nga sa duhet për të ndryshuar gjërat. Ato, ndoshta, i ndryshon kush është i gatshëm të rrezikojë përpara kordonëve të policisë”.
Eshtë një mendim i arsyeshëm, që po fiton terren. Pas përsëritjes së radhës së formulës Tëitter revolution, Andy Carvin, i cili ka fituar famë pikërisht duke dokumentuar përmes Tëitterit pranverën arabe për publikun e National Public Radio, ka shpërthyer: “Mjaft, është një fyerje ndaj atyre familjarëve të kujt ka humbur jetën për ta bërë vërtetë revolucion”. Pikë!
“Nuk e di nëse është lehtësia me të cilën njerëzit takohen, apo shpejtësia: shpesh herë këto aksione nuk kanë rezultate jetëgjatë”, këmbëngul autori i Turmave Inteligjente, “por është një fakt, mjafton të shohim Egjiptin, që sistemi funksionon”. “Ce n’est qu’un début” thërrisnin rebelët e Majit francez. Sot, është anakronike të imagjinosh një revolucion pa mediat sociale. Por, të kesh iluzionin që ato mjaftojnë, është thjeshtë parodi.
Social Plugin