Projekti i shëtitores, është kryelajmi dhe kryebiseda mes qytetarëve vlonjatë në këto ditë shkurti, që ngjasojnë me ato të një pranvere të vërtetë. Kjo u reflektua edhe ditën e Konkursit Ndërkombëtar për Vijën Bregdetare të Vlorës. Qindra qytetarë mbushën sallën e Teatrit “Petro Marko”, ku 5 studiot e përzgjedhura nga juria ndërkombëtare, prezantuan projektet e tyre. Por, po aq, e ndoshta edhe më tepër, ndiqnin “live” në sheshin përpara teatrit, përmes një monitori të madh, gjithçka ndodhte në sallë, shkruan Shqipmedia. Prania e Kryeministrit Edi Rama dhe anëtarëve të tjerë të Kabinetit qeveritar, sidhe e arkitektëve të huaj, i jepnin kësaj dite një dimension të veçantë.
“Konkursi ndihmon t’i japim jetë idesë së transformimit rrënjësor të vijës bregdetare të qytetit të Vlorës, por njëkohësisht do të jetë një shembull për t’u ndjekur për zhvillimin e mëtejshëm të infrastrukturës bregdetare në mbarë vendin”, u shpreh Kryeministri Edi Rama, në fillim të zhvillimit të fazës finale të këtij konkursi. “Janë punime mjaft serioze”, më thotë arkitekti i njohur vlonjat, Pirro Stefa, teksa shumë orë më pas, mbrëmjen e të premtes, presim në hollin e teatrit për t’u shpallur studioja fituese. Ndjekim me vëmendje në një monitor, sikundër edhe bashkëqytetarë të tjerë, projektet e prezantuara gjatë ditës. Dhe, në fakt, duket se për të, por edhe për të tjerë të njohur, projekti i studios belge XDGA, të përfaqësuar nga arkitekti Xaveer de Geyter, ka lënë mbresa të veçanta. Ka një lloj qasjeje që e bën atë mjaft të përshtatshme me mjedisin vlonjat, jo vetëm atë natyror, por edhe social. “Projekti ruan dhe krijon një raport mjaft të mirë me natyrën, por edhe me traditat shpirtërore të qytetarëve”, shprehet Stefa, ndërkohë që mbështetet në këtë konkluzion edhe nga të tjerë qytetarë, që ndjekin spontanisht bashkëbisedimin tonë. Dhe në fakt, vlonjatët, kanë të veçantë “xhiron”(shetitjen) përgjatë bregdetit, një mundësi e krijuar nga natyra e bukur bregdetare. Është ky element, që i evidentuar edhe nga juria, përbënte një pikë mjaft të fortë të këtij projekti. Shpallja e projektit fitues, mirëpritet nga qytetarët e pranishëm në sallë, të cilët kanë ndjekur gjatë gjithë ditës ecurinë e këtij konkursi.
Ndërkohë, Zëvendëskryeministri, Niko Peleshi, shprehet se, “është një projekt për qytetarët e Vlorës, që hap siparin e ridimensionimit të qyteteve shqiptare”. “Është një fillim i mbarë dhe pas kësaj, vlonjatët do ta ndjejnë ndryshimin. Vija bregdetare e Vlorës do të shërbejë si model edhe për pjesë të tjera të bregdetit”, theksoi Ministrja e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Eglantina Gjermeni. Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Vlorës, Arben Breshani, thotë se, projekti i shëtitores (“Lungomares”), një nismë e qeverisë shqiptare, do të krijojë një hapësirë të gjerë zhvillimi dhe transformimi për qytetin dhe më gjerë. “Është një projekt që ofron mundësi të tjera shumë më të mëdha për Vlorën dhe që, njëkohësisht vë në efiçensë të plotë investimet e kryera në fushën e ndërtimit në zonën bregdetare, duke i futur ato në rrjedhën e modernizimit dhe parametrave bashkëkohorë”, thekson Breshani. Ridimensionimi i kësaj pjese të bregdetit, sipas një konceptimi modern, integrimi në të edhe i portit të qytetit, i shndërruar në një mjedis kryesisht në funksion të turizmit, ashtu siç është edhe pritshmëria e këtij objekti në muajt dhe vitet në vazhdim, do të krijojë një raport efektiv dhe një vizion zhvillimor për Vlorën, ashtu sikundër do të ofrojë edhe një pamje të re të ballinës së qytetit nga hapësira detare. Por jo vetëm kaq.
Ky projekt do t’i japë një nxitje të fortë zhvillimit të biznesit në Vlorë. “Komuniteti i biznesit është tepër i interesuar dhe e ka mirëpritur këtë projekt që do t’i japë një frymëmarrje të re perspektivës së zhvillimit të Vlorës”, shprehet Breshani. Projekti i zhvillimit të bregdetit, që startoi në 28 Nëntor të vitit të kaluar, me prezantimin e konkursit ndërkombëtar, është një arsye më shumë që, nga qytetarët vlonjatë të ketë një perceptim tjetër për perspektivën e kësaj zone, të vetë qytetit dhe më gjerë, të bregdetit në tërësi, si pjesë e resurseve kombëtare. Arkitekti, Piro Stefa thotë se me konkretizimin e projektit fitues bregdeti i Vlorës merr një zhvillim të ri.
“Është një rikonceptim modern i kësaj hapësire bregdetare,që do të krijojë një impuls të ri zhvillimi për Vlorën”, shprehet ai. Nga ana tjetër, piktori Edi Kojani, shprehet se “ndërtimi i shëtitores do t’i japë një pamje të re estetike ballinës së qytetit të Vlorës, në raport me detin”. “Do të mundësohet një raport tjetër, mes bukurisë natyrore të Vlorës, ndërtimeve ekzistuese, ndonëse paksa të çrregullta dhe vetë kësaj hapësire të të krijuar pas prishjes së ndërtimeve, ku do projektohet shëtitorja”, thekson Kojani.
Social Plugin