Arrestohet biznesmeni pasi pagoi 120 mijë euro për ekzekutimin e rivalit (VIDEO)

Policia e Tiranës ka arrestuar një biznesmen të hidrokarbureve ditën e sotme, i cili akuzohet se ka paguar vrasësin me pagesë që të ekzekutojë rivalin e tij. Policia ka bërë të ditur se në pranga ka rënë Ilir Karçini, i cili kishte paguar 150 mijë euro për vrasjen biznesmenit rival në tregtinë e gazit, i cili duket se i ishte bërë pengesë.
Fatmirësisht vrasja u parandalua me arrestimin nga blutë e Tiranës të Julian Sinanajt, i cili ka rrëfyer në polici se atentatin ndaj biznesmenit të karburanteve ishte planifikua për më datë 25 janar 2014, ditë kur Sinanaj u arrestua.
Policia e Tiranës bëri të ditur se ka zbuluar pas 15 ditësh hetimi, njeriun që pagoi Julian Sinanajn me 120 mijë euro për të vrarë një prej bosëve të hidrokarbureve në Durrës.
Ilir Karçini, pronari i “X kompanie” me qendër në Patos të Fierit dyshohet si porositësi i vrasjes me pagesë të kolegut të tij Piro Bare, drejtor ekzekutiv i ndërmarrjes “Y” SH.A, me të cilin mendohet se ka pasur një konflikt pikërisht në fushën e tregtisë së gazit.
Emri i Ilir Karçinit është përcjellë dy ditë më parë në Gjykatën e Krimeve të Rënda pas dëshmisë së Julian Sinanajt dhe pas masës së arrestit është bërë edhe prangosja e tij. Sipas policisë arrestimi i Karçinit është bërë në banesën e tij në kryeqytet dhe nën masa të larta sigurie është përcjellë në Drejtorinë e Tiranës ku i është nënshtruar pyetjeve dhe ballafaqimit me provat e dhëna kundër tij nga vrasësi me pagesë, tashmë i penduar Julian Sinanaj.
Emri i Ilir Karçinit të paktën mediatikisht dhe politikisht nuk është i panjohur. 7 vjet me parë ka qenë një prej emrave që është përdorur nga maxhoranca e djathtë për të vënë nën akuzë ish-kryeprokurorin Theodhori Sollaku për tjetërsimin e një kompanie greke miliona euroshe që tashmë është shndërruar, të cilën e zotëronte Ilir Karçini.
Në atë kohë ishin akuza politike, ndërsa tani biznesmeni i njohur fierak do të përballet me një akuzë më të rëndë, atë zyrtare të Policisë dhe Prokurorisë për vrasjen e kolegut të tij durrsak Piro Bare, porosi e cila nuk u çua dot deri në fund nga Julian Sinanaj, që u arrestua me armën gati dhe foton e shënjestrës në xhep, dy ditë para se të kryente ekzekutimin e planifikuar.
Me një vendim gjykate, policia bëri të mundur prangosjen e biznesmenit në zonën e Komunës së Parisit, në kryeqytet. Tri ditë më parë kreu i Policisë së Tiranës Ardian Çipa bëri me dije se policia mundi të parandalonte vrasjen e një biznesmeni të hidrokarbureve, emri i të cilit nuk u bë publik, një vrasje kjo e porositur e cila ishte marrë përsipër të kryhej nga Juljan Sinanaj, Marion Mitro dhe N.GJ. Ky i fundit është dhe personi i penduar i bandës që bashkëpunoi me Prokurorinë dhe zbardhi gjithë zinxhirin e vrasjeve me pagesë dhe shpërthimeve me tritol.
Bare: Të veprojë drejtësia 
Biznesmeni Piro Bare, për të cilin Ilir Kaçini kishte paguar 120 mijë euro për ta vrarë, ka deklaruar për “A1 Report” se, ia ka lënë drejtësisë këtë çështje dhe nuk mund të jepte më shumë detaje në lidhje me të.
“Jam në një pozitë ku nuk mund të flas për këtë çështje. Gjithçka do të sqarohet nga drejtësia nuk mund të jap informacione të tjera”, deklaroi biznesmeni Bare i kontaktuar në telefon nga  “A1 Report” pas arrestimit të Ilir Karçinit.
Sipërmarrësi i portit të Porto Romanos tha se, nuk ndodhej në Shqipëri. “Unë ndodhem jashtë Shqipërisë, ia kam lënë drejtësisë të merret”, tha shkurtimisht për “A1 Report”, biznesmeni Piro Bare. Video