Katër vite më parë, ajo u bë e njohur si banore e spektaklit “Shpija e Kosovës”. Por, pas këtij show, Suzana Tahiri punoi shumë për të krijuar emrin e saj. Është marrë me modelim, ka qenë pjesë e shumë fushatave publicitare në Kosovë e jashtë saj.
Si femra e parë kosovare që u shfaq me ‘’belly dance’’, kjo bëri që shumë këngëtarë ta ftojnë të jetë pjesëmarrëse në klipe. Pas përfundimit të dy fakulteteve, bukuroshja Tahiri po ndjek studimet master, por njëkohësisht është inkuadruar edhe në politikë, duke qenë pjesë e kryesisë së rinisë së PDK-së.
Ndërsa në zgjedhjet e ardhshme parlamentare ajo synon karrigen e deputetes. Siç duket, ajo dëshiron të ndjekë shembullin e femrave politikane në Itali. ‘’Ndoshta për dikë mund të duket edhe e çuditshme, por për mua është normale. Jo shumë femra kanë guxim të kalojnë nga bota e artit në politikë.
Nëse e shohim në botën e jashtme, për shembull në Itali, shumë femra e kanë nisur karrierën si modele dhe pastaj kanë kaluar në politikë’’, ka theksuar Suzana në një intervistë dhënë së fundi në Kosovë, duke na kujtuar në fakt disa femra me të kaluar si pornostare dhe që kanë pozuar nudo.
‘’Pikërisht kështu. Dy deputete në Parlamentin italian kanë filluar si modele dhe iu patën publikuar edhe fotot nudo’’, shton ajo, ndërsa për vete tregon se ka vetëm foto artistike e jo nudo. ‘’Jam duke investuar për të arritur karrierë politike. Në moshën 24 vjeç pres të diplomohem në master dhe, meqë në vitin 2014 janë zgjedhjet parlamentare, mendoj të garoj për deputete. Aktualisht jam praktikante në zyrën e Kryeministrit’’.
Social Plugin