Rrëmbimet e nuseve në Kazakistan

Romanca në Kazakistan ka vdekur – të goditurat, tërheqja e flokëve, shuplakat, britmat e familjeve se “kjo martesë do të ndodhë”!
Këto janë kujtimet e një “nuseje të kidnapuar” në Kazakistan, tregim i cili tani mund të ndahet me secilin person në glob pas publikimit të një videoje ku dëshmohet martesa e njëanshme.
E filmuar në gjysmë të natës, videoja sjell në pah një traditë nomade e cila rrallëherë shihet në publik, shkruan Radio Evropa e Lirë, edicioni i gjuhës angleze.
Në fillim, kamera e luhatshme paraqet pamje të turbullta, që nuk të jep asnjë arsye për të qarat e një gruaje.
Por më pastaj, një burrë që nuk shihet në video, jep direktivat e qarta: “Sigurohuni që ajo të hyjë me këmbën e djathtë kur të hyjë për herë të parë në shtëpi”. Duke e bërë këtë, sipas paragjykimeve, ajo do të ketë jetë të lumtur dhe të begatë familjare.
Kur ndizet drita, shihet një femër e re në fustan të kuq, e cila gjithashtu i sheh për herë të parë rrëmbyesit e saj, si dhe anëtarët e saj të familjes së ardhshme. “Mos më mbani! Përse po më mbani? Përse po më flisni në këtë mënyrë? Dua të largohem”, thotë ajo. “Për çfarë po flisni? Unë do të largohem. Përse? Përse?”.
SHIKONI: Pamje amatore të një femre të rrëmbyer e cila detyrohet me dhunë që të martohet në Kazakistanin jugor.
Përpjekjet e saja për t’ia mbathur janë të kota. Ajo dërgohet mes goditjeve dhe britmave nga kuzhina, përmes një korridori të errët, kalojnë tavolinën e përgatitur për darkë, dhe dërgohet në një dhomë të pasme.
Atje, një grup burrash e grash të moshave të ndryshme, me radhë provojnë t’ia vendosin shaminë e bardhë – simboli tradicional i pranimit të një propozimi për martesë.
Kur oferta refuzohet në mënyrë demonstrative, grupi i personave të gjendur në dhomë përdorin metoda të ndryshme për t’ia ndryshuar mendjen. Ajo tërhiqet e shtyhet, goditet me shuplaka, i bërtitet si dhe hyn në një dyluftim kapje-flokësh me një prej femrave më të reja në grup.
“Kaq. Kjo [martesë] do të ndodhë”, bërtet një grua. “Ne do të të detyrojmë që ti ta veshësh këtë shami sido që të jetë”.
“Përse po i vë pengesa të ardhmes tënde të ndritshme?”, dëgjohet të pyet një zë mashkulli. “Duhet të të vijë trup nga vetja jote!”, thotë një tjetër, ndërsa një femër e paralajmëron: “Mos na mërzit”.
“Jo, jo, jo!”, insiston femra e re. “Nuk do të ulem, nuk do të rri në këtë shtëpi. Do të largohem. Më lironi”.
Por gjithë këto lutje shkojnë në vesh të shurdhër: “Nuk do të të lejojmë të dalësh nga kjo shtëpi”.
Rrëmbehen në pikë të ditës
Kjo video është postuar në faqen e Facebook të Kairat Kozhabekov, i cili shkroi se e kishte incizuar këtë skenë me telefonin e tij mobil në rajonin Maktaaralsk të Kazakistanit jugor, Oblast.
Postimi i tij dha pak informata në lidhje me rastin, por përfundimisht u kuptua se vajza e re më në fund ishte pajtuar për këtë martesë dhe tani ka një djalë.
Kozhabekov shkroi në Facebook se kidnapimi i nuseve është një fenomen i përhapur në vendlindjen e tij në jug të Kazakistanit, por me postimin e kësaj videoje, kanë pasur kundërshtime të shumta.
“Turp! Kjo është shkelje e të drejtave të njeriut”, ka shkruar përdoruesi kazak i Facebookut, Bakhytzhan Duysenov. “Nuk mund të luani me jetën e dikujt në këtë mënyrë”, ka komentuar blogerja kazake, Ansa Mustafa.
Kjo blogere ka kujtuar se si dy prej shoqeve të saja janë kidnapuar dhe detyruar me dhunë të martohet, por të dy këto martesa kanë përfunduar në divorc. “Një nga vajzat ishte 19-vjeçe kur tre burra e rrëmbyen atë në pikë të ditës, e futën me forcë në një makinë, dhe e dërguan në shtëpinë e dhëndrit të ardhshëm”, ka shkruar Mustafa.
“Sikurse tregon kjo skenë në video, edhe shoqja ime kishte rezistuar dhe kishte qarë për ndihmë. Por nëna e ‘dhëndrit’ kishte vendosur bukë dhe shaminë e bardhë para vajzës dhe u shtri në dysheme për ta penguar kalimin e saj. ‘Do të jesh tërë jetën e palumtur nëse kalon mbi këto tri gjëra të shenjta’”, i kishte thënë gruaja asaj.
Vajza u zbut, ndërkaq bashkëshorti i saj doli të ishte një pijanec që nuk kishte kurrfarë mundësie tjetër të gjente nuse, përfundoi Mustafa.