Gjendet e vdekur gruaja e vëllait të Shaban Norjes, monstrës së Shijakut. Policia: Depresion pas paragjykimit nga banorët e fshatit.
Dyshohet nga depresioni pas diskriminimit nga banorët e fshatit.
Gjendet e vetëvarur kunata e Shaban Norjes, i moshuari që u konsiderua si monstër pas vrasjes dhe prerjes së kokës me sëpatë të 18-vjeçares Ajshe Vata. Policia bëri të ditur se është njoftuar se ishte gjetur e vetëvarur në një kasolle afër banesës shtetasja Xhemalie Norja, 67 vjeçe. Sipas të dhënave, gruaja i kishte dhënë fund jetës në kushtet e një depresioni të rëndë. Ngjarja, sipas Policisë, ndodhi rreth orës 13:00 të së mërkurës, në fshatin Likesh, komuna Gjepalaj, në Shijak. Nga ana e policisë mbeten ende të paqarta rrethanat dhe motivi i ngjarjes, por paraprakisht dyshohet se akti ekstrem nga 67-vjeçarja është marrë pas një gjendjeje të rënduar psikologjike, e ardhur kjo edhe pas fjalëve nga banorët e zonës për lidhjen familjare të saj me autorin e masakrimit të 18-vjeçares Ajshe Vata. Burime të Policisë bënë të ditur se janë duke hetuar të gjitha pistat e mundshme në lidhje me shkakun e një vendimi të tillë fatal për jetën. Por të njëjtat burime u shprehën se nuk përjashtojnë si shkak diskriminimin dhe paragjykimet në adresë të saj dhe të shoqit nga ana e bashkëfshatarëve të tyre. Kjo pasi nga hetimet e kryera kanë rezultuar të dhëna që mund të lidhin ngjarjen me një pistë të tillë. Viktima jetonte vetëm me të shoqin, shtetasin Hamit Norja, i cili është vëllai i Shaban Norjes. Djali i çiftit mësohet se jeton në emigracion në Itali, ndërsa vajza është e martuar në zonën e Shijakut. Burime nga grupi i hetimit thanë se nga të dhënat që disponojnë, familja Norja ishte veçuar nga banorët e tjerë të fshatit Likesh që pas ngjarjes së rëndë kur u përfshi kunati i viktimës. Madje vetë banorët kishin pasur reagim, ndonëse jo demonstrativ, por duke rralluar vizitat në banesën e çiftit të të moshuarve deri në braktisjen e plotë të tyre. Policia nuk e konsideron këtë si një pistë zyrtare, pasi po heton edhe në pista të tjera. Burime nga grupi hetimor bënë të ditur se janë marrë në pyetje familjarët e 67-vjeçares. Ata kanë deponuar se Xhemalie Norja kishte shfaqur probleme me gjendjen mendore prej disa kohësh. Por ata nuk i kanë bërë një lidhje të mundshme të shkakut të ngjarjes me paragjykimet në adresë së familjarëve të tyre nga ana e banorëve të fshatit.
MASAKRA
Ajshe Vata u vra me armë zjarri dhe më pas iu pre koka me sëpatë nga 82-vjeçari Shaban Norja, pasi ajo kishte mbetur shtatzënë me të moshuarin. Ky i fundit nuk mund ta duronte dot turpin në fshat dhe i kërkonte 18-vjeçares të mos e mbanin fëmijën. E reja u masakrua vetëm pak ditë para se të vijonte studimet e larta. Por masakra e ndodhur më 10 tetor të vitit 2012 ia preu në mes ëndrrat.
FAMILJARET
Pas ngjarjes së rëndë që ndodhi më 10 tetor të vitit 2012, banorët e fshatit ku jeton Shaban Norja patën reagim të ashpër, duke çuar deri në kërkesën për azil të fëmijëve të të moshuarit në Itali dhe Gjermani. Por edhe familjarët e 18-vjeçares së masakruar Ajshe Vata u larguan nga Shqipëria. Ata kërkuan azil politik në Suedi dhe që prej asaj kohe jetojnë në këtë shtet.
Social Plugin