Gani Geci dorëzon ‘dy armë’!

I ftuar që të paraqitet në polici, Gani Geci është lajmëruar para policëve dhe prokurorëve vendorë e ndërkombëtarë ku edhe ka dorëzuar dy armët e tij, njërën lodër dhe tjetër revole që ai thotë se e ka me leje.
Qysh në fillim të marrjes në pyetje, Geci, sipas burimeve të gazetës “Zëri”, ka kërkuar që ai të mos intervistohet nga policët vendorë, ngase, sipas tij, këtyre të fundit ai nuk iu beson.
Ai është marrë në pyetje nga policët hetues të misionit EULEX, derisa të pranishëm kanë qenë edhe një prokuror i EULEX-it dhe Njazi Rexha, prokuror nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë.
Geci, sipas të njëjtave burime, nuk ka mohuar se ka qenë i përfshirë në një përleshje. Përleshja, sipas tij, ka filluar kur një person tullac, i cili po e shoqëronte deputetin Azem Syla, e ka sharë me nënë Gani Gecin duke e quajtur atë tradhtar.
Geci ka pranuar edhe para hetuesisë që janë pajtuar në lidhje me konfliktin që kanë pasur këta dy mes vete. Ndonëse është i dyshuar në këtë rast, Geci nuk është ndalur në Polici, pasi që i njëjti është zotuar se do të paraqitet sa herë që të kërkohet një gjë e tillë.
Të njëjta burime bëjnë me dije se Policia tashmë ka në duar edhe armën e truprojës së deputetit Gani Koci, por nuk janë dhënë detaje nëse armët që janë grumbulluar deri më tani janë dërguar për ekspertizë në departamentin e balistikës.
Dëshmitarët okularë të intervistuar deri më tani, kanë mohuar që Gani Geci, ditën e hënë, në qendër të Skënderjat, ka gjuajtur me armë pas një përleshjeje që kishte ngjarë pas tubimit përmbyllës të fushatës së PDK-së në këtë vend.
Burimet e “Zërit” bëjnë me dije se në ditët në vijim, varësisht nga rrjedha e hetimeve në lidhje me rastin, do të intervistohet edhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Azem Syla.
Ndryshe, në një bisedë në emisionin Interaktiv të KTV-së, Geci mbrëmë ka bërë me dije se është pajtuar me deputetin e PDK-së, Azem Syla, pasi që, sipas tij, “nuk është Azem Syla, por një tjetër politikan aktiv kosovar” ai që ka dhënë urdhër për vrasjen e tij.
Pajtimi mes këtyre dyve ka ardhur pas një takimi të 29 tetorit në Drenicë në mes të ish deputetit të LDD-së, Geci me kryeministrin Thaçi, ish shefin e SHIK-ut, Kadri Veseli dhe Azem Sylën.
Videon mund ta shihni ketu.