Xhihadi i seksit në Siri

Zyrtarët qeveritarë të Tunizisë kanë deklaruar se një numër i grave tuniziane kanë udhëtuar në Siri për të marrë pjesë në të ashtuquajturin "xhihad i seksit", një fushatë e supozuar për të shërbyer si relaks për luftëtarët që e kundërshtojnë regjimin e presidentit Bashar Al Asad.
Zyrtarët që kanë folur për AFP-në në kushte anonimiteti, kanë lënë të kuptohet se dukuria e këtyre grave ishte më e përhapur sesa mendohej më parë, transmeton Zhurnal.
"Së paku 15 gra tuniziane kanë shkuar në Siri, shumica për t'u përkujdesur për luftëtarët dhe për t'u marrë me përkujdesje sociale. Por, disa prej tyre janë detyruar që të kenë marrëdhënie seksuale me luftëtarët. Katër prej tyre u kthen në Tunizi, ndërsa njëra ishte shtatzënë. Ajo ka deklaruar se ishte përkujdesur për luftëtarët dhe kishte pasur marrëdhënie seksuale me ta", kanë thënë këta zyrtarë.
Vlerësohet se ato kanë qenë të indoktrinuara nga propaganda e zhvilluar në internet.
Në shtator, ministri i brendshëm tunizian Lotfi ben Jeddou, kishte deklaruar se gra tuniziane kishin shkuar në Siri ku kishin pasur marrëdhënie seksuale me 10, 30, deri 100 luftëtarë. Sipas tij, aferat seksuale arsyetoheshin në emër të "jihad al-nikah", që interpretohet si 'luftë e shenjtë seksuale".
Disa prej ndjekësve të vijës së ashpër salafiste e kanë lejuar marrëdhënien me shumë partnerë, në emër të luftës së shenjtë.
Ndërkohë, drejtuesi i Shoqatës Bamirësie për Tunizianët e Larguar, Badis Koubakji, ka thënë se me dhjetëra gra tjera tuniziane besohet se kanë mbetur ende në një kamp në provincën Iblid, në veriperëndim të Sirisë. Ai ka thënë se ministri i brendshëm tunizian nuk ka dhënë informata të plota për këtë çështje.
Koubakji thotë se gratë janë të moshës 17 deri në 30 vjet, ndërsa ngurrojnë të flasin për përvojat e tyre për shkak se familjet tentojnë të "mbrojnë nderin e tyre".
Organizatat joqeveritare i kanë bërë thirrje qeverisë së Tunizisë që të kontrollojë rrjetet që organizojnë dërgimin në Siri të grave të reja.
Ndërkohë, ministri i brendshëm tunizian Jeddou, ka deklaruar se kanë shtuar kontrollet në aeroporte, ndërsa ka thënë se prej se e ka marrë detyrën, afër 6 mijë të rinj janë parandaluar që të shkojnë në Siri.
Mediat lokale në Tunizi kanë publikuar rrëfime anonime të grave të kthyera nga Siria, por AFP nuk ka arritur që t'i konfirmojë.
Sipas mediave, në 15 vjetët e fundit, mijëra tunizianë i janë bashkuar luftëtarëve në Afganistan, Irak, e Siri, ndërsa besohet se shumica prej tyre kanë udhëtuar nëpër Turqi dhe Libi.