Shqiptarët rrezikohen të dëbohen nga Britania e Madhe

Çereku i krimeve të organizuara në Britani organizohen nga kriminelë të huaj. Një studim zyrtar i krimit mbi botën e krimit në Britani tregon se nga 5 500 organizata kriminale që veprojnë në vend, 25% e tyre drejtohen nga organizata ndërkombëtare.
Kërcënimi më i madh vjen nga Nigeria, Pakistani, Rumania, Polonia, Lituani dhe Vietnami. Shqipëria dhe Turqia gjithashtu shkaktojnë probleme.
Një studim i tillë publikohet në një kohë kur Britani po punon për miratimin e rregullave të reja për dëbimin e kriminelëve të huaj.
Në Britani që prej ditës së sotme nis punën zyrtarisht Agjencia Kombëtare e Krimit (NCA) – FBI-ja britanike – që do të ketë një buxhet prej 450 milionë paund. Por dëmi që krimi i organizuar i shkakton Britanisë së Madhe në vit është 34 miliardë paund.
Masat e reja do të kontrollojnë të dhënat për të huajt për të parë nëse kanë të kaluar problematike, nëse janë në kërkim apo janë dënuar më parë.
Nëse ka të dhëna të mjaftueshme, ata do të ndiqen penalisht dhe do të dëbohen nga Britania. Nëse nuk ka të dhëna të mjaftueshme për t’u ndjekur penalisht, por ndodhen ilegalisht në Britani apo janë dënuar në një vend tjetër, ata gjithashtu do të dëbohen. Të gjitha ata persona që do të dëbohen, nuk do të lejohen të hyjnë në Britani për 10 vjet.
Një skemë e tillë pilot e zbatuar në Londër, me emër operacioni “Nexus”, në 18 muaj ka dëbuar nga Anglia 1 mijë të huaj. “The Sunday Times”, raporton se grupet kriminale përgjithësisht kryejnë krime ekonomike. Vetëm vitin e kaluar, në Britani janë sekuestruar mbi 60 ton kokainë dhe afërsisht 5 ton heroinë dhe janë arrestuar 1 500 njerëz.