
Vrasja sipas policisë
Çesk Leka u qëllua teksa kthehej për në shtëpi në rrugicën e lagjes, vetëm 100 metra larg banesës. Kanë qenë familjarët e viktimës, të cilët kanë dëgjuar të shtënat me armë zjarri dhe pasi kanë dalë jashtë menjëherë kanë gjetur trupin e pajetë të 45-vjeçarit Leka, i cili punonte si punëtor ndërtimi. Drejt vendngjarjes kanë mbërritur forca të shumta të policisë të cilët kanë nisur menjëherë hetimet për zbardhjen e ngjarjes së rëndë. Paraprakisht policia mundi të mësojë në vendngjarje se pjesëmarrës në krim kanë qenë dy persona dhe se këta të fundit i kishin zënë pritë Lekës, duke shfrytëzuar, jo vetëm errësirën, por edhe kohën ku lëvizja në këtë rrugë është mjaft e rrallë. Sipas policisë, viktima ka marrë plagë të shumta në gjymtyrë e trup si pasojë e breshërisë me armë zjarri, duke mos i mbijetuar plagëve të marra. Policia dyshon që fillimisht autorët e kanë qëlluar dhe kur e kanë parë në tokë, i janë afruar sërish duke e qëlluar dhe disa herë të tjera për tu siguruar për vdekjene tij. Ky dyshim i policisë është hedhur edhe pas dëshmisë së banorëve të cilët kanë pohuar se kanë dëgjuar dy herë të shtëna me armë zjarri në një minutë.
Viktima
Babai i shtatë fëmijëve,Çesk leka, ishte nga Fshati Lekaj, Komuna Shalë, ndërsa banonte në Lagjen “Guerrile” të qytetit Shkodër prej disa vitesh. Për të siguruar të ardhura financiare 45-vjeçari punonte në ndërtim. Vazhdimisht kthehej në shtëpi në orët e para të mëngjesit për shkak të orarit të tejzgjatur në vendin e punës. Ai nuk njihej si person problematik në lagjen ku ishte vendosur, gjithashtu familjarët shprehen se Leka nuk kishte konflikte të hapura me persona të tjerë, qofshin këto të ditëve të fundit apo edhe të trashëguara. Bashkëshortja e viktimës e cila ka mohuar kategorikisht të njihte ndonjë problem të mbartur të bashkëshortit të saj.
Hetimet
Ekspertët e Krimeve të Rënda po hetojnë në mënyrë intensive për të rënë në gjurmë të autorëve të ekzekutimit të Lekës. Sipas policisë, dëshmia e dhënë nga familjarët, por edhe e punëtorëve në firmën ndërtuese nuk i kanë ndihmuar në zbardhjen e rrethanave të ngjarjes. Nga ana e ekspertëve hetimet janë shtrirë në shumë pista, përfshirë dhe atë të vrasjes për motive hakmarrjeje. Ndërkohë për të mësuar më shumë detaje, policia ka shoqëruar mes familjarëve dhe kolegëve të tij edhe 12 persona të tjerë, me qëllim identifikimin e autorëve. Nga dëshmitë që policia ka mundur të sigurojë ka mësuar se autorët janë larguar me një motor, kjo pasi fqinjët kanë dëgjuar një zhurmë, pak minuta pasi është qëlluar Leka.
Social Plugin