Zvicër, club që ua ndalon hyrjen shqiptarëve!

Klubi „Jil“ në Cyrih u ndalon në mënyrë eksplicite hyrjen “shqiptarëve dhe kosovarëve”. Dhe këtë ndalesë jo vetëm që e kanë provuar në lëkurën e tyre shqiptarët që kanë tentuar të hyjnë. Për më tepër atë e konfirmojnë pa hezituar, me shkrim dhe me gojë, edhe drejtuesit e klubit, që njihet si klub serb, por që frekuentohet edhe nga të tjerët.
Revista elektronike për të rinj dhe jetë të natës tillate.com, nisur nga përvoja e një shqiptari i cili ishte përballur me ndalesën për të hyrë në këtë klub, ka kërkuar dhe dokumentuar gjithë këtë në një shkrim të saj.
Për Blerim D.* mbrëmja e argëtimit gjatë muajit gusht kishte përfunduar akoma para se të fillonte. Këtij të riu kosovar i ishte ndaluar hyrja në klubin “Jil” të Cyrihut, aty ku një mik i tij serb po festonte ditëlindjen. Dhe kjo, përkundër faktit se shoku i tij në fjalë e kishte rezervuar një VIP-Lounge për atë natë.
“E ndjej veten të diskriminuar. Kjo është nën çdo dinjitet njerëzor”, thotë për tillate.com, djali 19 vjeçar. Edhe më i shokuar është ndier ai kur e ka lexuar E-mailin të cilin stafi i klubit ia kishte dërguar mikut të tij serb. “Ju lutemi të keni parasysh se hyrjen e kanë të lejuar vetëm personat e moshës madhore (të miturit dhe shqiptarët ose kosovarët nuk lejohen)” thuhet fjalë për fjalë në E-mailin që shoku i Blerimit e kishte marrë në lidhje me rezervimin që ai e kishte bërë.
“Është e saktë, kështu shkruan në secilin vërtetim që ne ua postojmë mysafirëve tanë”, thotë menaxherja e klubit, Sanela Janosevic. Klubi Jil, sipas saj në të kaluarën ka pasur tepër shumë përvoja të këqija me mysafirët nga Kosova dhe nga Shqipëria. “Për këtë arsye ne para rreth dy vitesh e kemi futur në veprim këtë rregullore për të garantuar sigurinë në klub. Personalisht ne nuk kemi asgjë kundër shqiptarëve dhe njerëzve nga Kosova”, thotë Janosevic.
Menaxherja serbe nuk është e vetëdijshme se klubi me këtë qëndrim të tij kryen vepër penale. “Ne nuk mërzitemi për këtë. Fundja, klubi nuk i takon shtetit, ne mundemi t`i definojmë vetë rregullat”, thotë Janosevic dhe thekson se megjithatë nuk do tu ndalohet hyrja të gjithë shqiptarëve dhe kosovarëve. “Nuk ka rregull pa përjashtim. Ne lejojmë ndonjëherë edhe shqiptarë të hyjnë brenda. Veçanërisht në lunge, në rast se festuesit i kanë regjistruar e kohë miqtë e tyre kosovarë”, transmeton albinfo.
Ndërkaq avokati i ë drejtës penale nga Cyrihu, David Gibor thotë se është diskriminues veprimi i ndalimit të hyrjes nga ana e klubit, për kosovarët dhe shqiptarët . Kufizimi i hyrjes vetëm për të rriturit është i pranueshëm por jo edhe përjashtimi i specifikuar i shqiptarëve dhe kosovarëve. “Shërbimet e ofruara nga klubi vlejnë për të gjithë personat e moshës madhore. Prandaj, ndalimi i hyrjes për shqiptarët dhe kosovarët është në kundërshtim me ligjin”, thotë Gibor.