Thaçi: Ekziston mundësia që shqiptarët dhe maqedonasit në një moment të ndeshen mes veti

Nëse vazhdojmë të jetojmë në dy paralele ekziston mundësia që ata në një moment të ndeshen mes veti, thekson kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi në një intervistë për REL, duke sqaruar se në intervistën e dhënë për mediat e Kosovës kohë më parë nuk flet për luftë siç ndodhi të vitin 2001, por tani lufta mes maqedonasve dhe shqiptarëve është zhvendosur në sferën e jetës reale, ekonomike, industriale dhe interesin territorial. 
“Luftojmë ‘underground‘ për pozita të ndryshme, garë për pozicione tjera, interesa ekonomike, industriale, territoriale etj. Megjithatë nëse vazhdojmë në këtë mënyrë si popuj të garojmë paralelisht underground, të jeni të sigurt se kjo paralele dikur do të dalë në sipërfaqe dhe ekziston mundësia që këto paralele të ndeshen mes veti”, tha Thaçi. 
Duket se duhet të kihet kujdes në atë se çfarë po ndodh në terren, ndarjet nuk kanë marrë fund, janë më të dukshme efektet nga paralajmërimet se në vend që të jetojmë njëri me tjetrin, jetojmë njëri afër tjetrit, alarmojnë gjatë kohë ekspertë, si dhe ata që i mbikëqyrin dhe i analizojnë situatat në terren. 
“Situata e përgjithshme në shtet i bën më të revoltuar, dmth vonesa me eurointegrimet dhe integrimi në NATO, vonesa me realizimin e disa programeve të tyre të cilat aata i kanë paraparë në pjesën e investimeve, në pjesën e tregtisë, të politikës së jashtme etj. Kjo është ajo që ‘digjet përbrenda’”, thekson Vlado Dimovski nga sektori joqeveritar i Qendrës për tolerancë ndëretnike. 
Analisti Ibrahim Mehmeti theksin e vendos edhe në komunikimin e dobët të përfaqësuesve politik të bashkësive etnike me banorët për shkak se nuk ka përgjigje në pyetjet që po bëhen më të shumta. 
“Të themi se investimet të cilat i bën qeveria, nëse i shikojmë ata në aspektin etnik, ndërtohet ndonjë shkollë super luksoze në ndonjë komunë të Shkupit, kurse nga ana tjetër ne kemi dhjetëra, qindra shkolla nëpër të gjithë Maqedoninë në gjendje shumë të vështirë, pa sqaruar pse ndodhë kjo. Atëherë është normale që të lindin paragjykime ose mendime të cilat me kalimin e kohës dalin në barazinë etnike”, tha Mehmeti.