Ministrat e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) Fatmir Besimi dhe Xhelal Bajrami kanë lëshuar në mënyrë demonstrative ndeshjen miqësore mes politikanëve, gazetarëve dhe ish futbollistëve në momentin kur në lojë në të njëjtën skuadër ka hyrë krimineli i luftës Johan Tarçullovski. Kjo ndeshje miqësore u luajt me rastin e shënimit të 22 vjetorit të themelimit të shtetit të Maqedonisë në kompleksin “Shtëpia e Futbollit”, ndërsa organizator i saj ishte Agjencia për rini dhe sport.
Zëvendës ministri për Transport dhe lidhje Xhelal Bajrami tha se nuk do të ulet kurrë në një tavolinë me një njeri që është shpallur kriminel nga Gjykata e Hagës. “Ne as që e kemi ditë dhe as që ka qenë emri i tij në protokoll. U bënë fotografitë para ndeshjes, nisi ndeshja dhe pak para se të përfundonte pjesa e parë e ndeshjes në lojë hyri Tarçullovsi. Kur e pamë unë dhe Fatmiri lëshuam lojën në mënyrë demonstrative”, tha për “Lajm”, Bajrami. Ai thekson se kurrë nuk do të marrë pjesë në një manifestim të përbashkët me Tarçullovskin. “Unë kam qëndrimin tim personal dhe me një njeri që është gjykuar nga Gjykata e Hagës për krime lufte, unë nuk ulem në një tavolinë, nuk marr pjesë në asnjë manifestim të përbashkët me të.
Edhe organizatorëve ia thash këtë, ata nuk reaguan dhe bënë mirë që nuk reaguan, pasi mund të ndodhte edhe diçka më e madhe”, tha Bajrami.
Pjesëmarrja e Tarçullovskit dhe ministrave të BDI-së në një lojë të përbashkët është vlerësuar si turp i madh nga ana e ish luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare dhe familjarëve të të vrarëve në fshatin Luboten, ndërkaq lëshimi i ndeshjes në mënyrë demonstrative nga ana e dy ministrave shqiptar është vlerësuar si gjest pozitiv.
“Është një gjest i mirë, dhe urojmë që ky gjest spontan të kalojë edhe në sferën politike. Do të ishte shumë turp nëse ata do të kishin vazhduar lojën”, tha për “Lajm”, kreu i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (OVL-UÇK), Besim Hoda.
Mevludin Bajrami, vëllai i dy të vrarëve ne masakrën e Lubotenit nuk bën asnjë koment në lidhje me këtë ngjarje. “Ne s’kemi ç’të bëjmë. Qeveria e solli nga Haga me paratë e popullit, neve na kanë lënë kështu me plagë të hapura”, thotë ai për “Lajm”.
Po ashtu edhe Abdi Azizi, ish komandant i gardës në Sllupçan nuk komenton asgjë. “Unë nuk do të kisha marrë pjesë në asnjë manifestim të përbashkët me Tarçullovskin”, tha ai.
Ndeshja e futbollit mes politikanëve, gazetarëve dhe ish futbollistëve ka vazhduar edhe pas largimit të dy ministrave shqiptarë.
Përveç Besimit, Bajramit dhe Tarçullovskit në ndeshjen miqësore kanë marrë pjesë edhe ministrat Ivo Ivanovski dhe Dime Spasovski, ish futbollistët e njohur të reprezacionit të Maqedonisë, Petar Milloshovski, Ljupço Markovski, Goce Hristov, etj.
Social Plugin