Rasti "Kleçka": Limaj dhe shokët shpallen të pafajshëm

Fatmir Limaj dhe nëntë ish-ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës - që të gjithë të akuzuar për krime kundër popullatës civile gjatë luftës më 1999, janë shpallur të pafajshëm.
Procesi në atë që njihet si "rasti Kleçka" merr fund me këtë vendim të Gjykatës Themelore në Prishtinë. 
Prokuroria Speciale e Kosovës, kishte ngritur aktakuzë kundër Limajt dhe nëntë ish-bashkëluftëtarëve të tij, për vepra të cilat thuhej të jenë kryer nga fillimi i vitit 1999 deri në mesin e qershorit 1999, kundër civilëve serbë dhe shqiptarë, si dhe kundër pjesëtarëve të burgosur të ushtrisë serbe dhe policëve serbë të mbajtur në një qendër të improvizuar paraburgimi nga UÇK-ja.
Në muajin mars të vitit 2011, prokurorët e misionit evropian për sundimin e ligjit, EULEX, lëshuan një urdhër arresti për deputetin Limaj, i cili gjatë luftës ishte një nga komandantët kryesor të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Aktakuza kundër zotit Limaj dhe bashkëluftëtarëve të tij u konfirmua më 2 shtator 2011.
Pas përfundimit të procesit gjyqësor, më 30 mars të vitit 2012, gjashtë nga të akuzuarit shpallen të pafajshëm: Arben Krasniqi, Behlul Limaj, Refki Mazreku, Sabit Shala, Shaban Shala dhe Besim Shurdhaj.
Më 2 maj, të po të njëjtit vit, shpallen të pafajshëm edhe Fatmir Limaj, Nexhmi Krasniqi, Naser Krasniqi dhe Naser Shala.
Megjithatë, në nëntor të vitit 2012, Gjykata Supreme e miratoi pjesërisht ankesën e prokurorit special të EULEX-it dhe e ktheu çështjen në rigjykim. Trupi gjykues atëbotë i shpalli të pranueshme edhe dëshmitë e Agim Zogajt, gjithashtu i njohur si “Dëshmitari X”.
Akuza në këtë rast, mbështetet kryesisht mbi dëshmitë e Zogajt. Në muajin shtator të vitit 2011, ai kreu vetëvrasje në Gjermani. Për një kohë kishte mbajtur ditar ku kishte shënuar ngjarjet e përfshira në akuzë.
Ndryshe, më 30 nëntor të vitit 2005 Tribunali Ndërkombëtar për Krime lufte në Hagë shpalli të pafajshëm Fatmir Limajn, i njohur me emrin e luftës si komandant Çeliku, i cili në shkurt të vitit 2003 qe akuzuar për përfshirje në krime kundër civilëve shqiptarë dhe serbë gjatë luftës së vitit 1998.