O Edi, kot ta dhamë Shkëlzenin?! (Andi Bejtja)

Ditën që Kryeministri Edi Rama mbajti fjalimin e parë në Parlamentin shqiptar, ato që u ndien në pozitën më
të vështirë ndoshta kanë qenë ambasadat e vendeve fqinje, si Ambasada Maqedonase, Serbe apo Malazeze, për të mos shkuar më tej. Burokratët e këtyre ambasadave, ndoshta për herë të parë në këtë 20-vjeçar tranzicioni shqiptar, nuk kishin çfarë të raportonin në qendrat përkatëse, se Kryeministri i ri shqiptar, ndryshe nga të gjithë paraardhësit e tij, pothuajse nuk përmendi asnjë fjalë për politikën me vendet fqinje dhe rajonin si koncept, duke vërtetuar dhe frikën e mikut të tij të vjetër, ish-ambasadorit Uidhers, i cili jo pak herë, në takime private me diplomatë dhe gazetarë, ishte shprehur se Uashingtoni e kishte të paqartë se çfarë filozofie kishte lideri i atëhershëm i opozitës shqiptare në lidhje me rajonin dhe, në veçanti, me Prishtinën, Beogradin, Shkupin dhe Podgoricën.

Dhe ndoshta Kryeministri i ri ka bërë mirë që ka heshtur, sepse po vërtetohet vetëm brenda katër ditëve në detyrë se e ashtuquajtura filozofi rajonale e iniciuar nga vetë ai, “Zero probleme me fqinjët”, në fakt do të thotë zero njohuri për rajonin dhe fqinjët. Kryeministri Edi Rama, vetëm për 5 minuta sa takoi Presidentin e Maqedonisë Ivanov, irritoi menjëherë shqiptarët e Maqedonisë dhe gjithë opinionin publik shqiptar atje. Fjalë për fjalë dhe presje për presje, Edi Rama, duke u kujdesur gjithnjë që të tingëllojë si internacionalist, për të bërë kontrast me të ashtuquajturin nacionalisti Berisha, të cilin kujdeset gjithmonë ta portretizojë si të tillë, pasi nuk beson ende se ai vetë ka ardhur në pushtet, tha: “Zoti President më shprehu shqetësimin e tij që të ketë më shumë vëmendje dhe hapësirë për pakicën maqedonase në Shqipëri. Unë e marr këtë mesazh jo thjesht si detyrim për shtetin tonë ndaj çdo pakice, por edhe si shprehje të një fakti të thjeshtë, që ne nuk u kërkojmë të tjerëve atë që ne vetë nuk jemi në gjendje ta plotësojmë për të tjerët”.

E para dhe gafa më e rëndë, Kryeministri i ri i Shqipërisë vë shenjën e barazimit mes pakicave maqedonase dhe “pakicave shqiptare në Maqedoni”. Mund të konsiderohen shqiptarët në Maqedoni pakicë? Mirë që nuk do të takojë dhjetë minuta Koço Danajn, apo nuk ka kohë të lexojë përkufizimet e së drejtës ndërkombëtare, po Shkëlzen Maliqit mund t’ia kishte bërë një telefon!

Nuk ta dhamë kot Xenin, o Edi! Të paktën të të kishte dhënë raportet ndërkombëtare se si i trajton Shqipëria pakicat. Po t’i kishe marrë këto raporte, ku shkruhet e zeza mbi të bardhë që Shqipëria është nga vendet e rajonit që i trajton më mirë nga të gjithë të ashtuquajturat pakica kombëtare, nuk do të ishe shprehur “ne nuk u kërkojmë të tjerëve atë që vetë nuk jemi në gjendje ta bëjmë”, po do të kishe thënë: “Ne u kërkojmë të tjerëve të bëjnë të paktën gjysmën e atyre gjërave që ne kemi bërë”. Dhe teksa shndërroi në opozitë të tijën dhe të partisë së tij një pjesë të mirë të opinionit publik në Maqedoni, të njëjtën gjë bëri edhe në Kosovë, duke mos përmendur emrin e Rugovës, për hir të së vërtetës jo me një fjalim të dobët e burokratik si ai në Parlamentin shqiptar, por me një fjalim historik dhe me piketa historike.

Por prapë, edhe kur shkëlqen, qiellin Edi Ramës ia errëson një gafë. Dhe i tillë ishte edhe rasti i Kosovës, që tashmë e do Ramën, siç u shprehën edhe eksponentë të politikës kosovare, shumë më pak se Berishën po e po, por dhe shumë më pak se Majkon, Nanon e Metën. Jemi në një situatë të tillë kur, as për katër ditë, Kryeministri i ri i Shqipërisë ka për opozitë jo vetëm Lulzim Bashën, ka divergjenca paraprake me aleatin e tij Ilir Meta, që u shfaqën më shumë se kurrë në rastin e mbajtjes apo mosmbajtjes së fotos së Presidentit në mur, por kur ka për opozitë dhe një pjesë të mirë të opinionit publik në Kosovë e Maqedoni dhe më gjerë. Këto mund të mos përbëjnë probleme të brendshme për qeverisjen afatshkurtër të Ramës, por për ndërkombëtarët po.

Sepse liderin e Shqipërisë e shikojnë si një baba të faktorit shqiptar në rajon dhe që shpeshherë e përdorin atë për t’i dërguar mesazhe Thaçit të Kosovës apo Thaçit të Maqedonisë. Edhe pse ndikimi i Tiranës si qendër është zvogëluar në krahasim me vite më parë, sidomos përsa i përket Kosovës (është parë qartë që faktori ndërkombëtar tashmë komunikon drejtpërdrejt dhe jo nëpërmjet Tiranës), sërish ndërkombëtarët shqetësohen kur atyre u lëviz bërryli në tavolinën e Tiranës, kur e shikojnë se faktorët shqiptarë në rajon nuk e shikojnë Kryeministrin e Shqipërisë si Kryeministër, por si kryetar bashkie të Shqipërisë.

Por sërish, edhe Edi Rama vetë, edhe ndërkombëtarët e kanë një fat, sepse kjo është një qeveri me dy koka, dhe koka e dytë, lideri i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, jo vetëm ka dijeni për t’u pasur zili për rajonin, madje mund të thuhet se e ka hobi, jo vetëm ka një qasje prej Kryeministri dhe jo prej kryetari bashkie, por ka dhe lidhje të ngushta personale me çdo faktor shqiptar, pavarësisht nga ngjyra politike, në mënyrë të barasvlershme me këdo dhe kudo ku ka shqiptarë në rajon. A do të arrijë koka e dytë të mbajë kokën e parë, apo do ta zëvendësojë atë, kjo mbetet për t’u parë, por një gjë është e sigurt: shqiptarët dhe faktorët ndërkombëtarë duan në Shqipëri një Kryeministër në kuptimin e plotë të fjalës, dhe jo një kryetar bashkie të Shqipërisë. Edi, më duket se ta dhamë kot Xenin!