Në Shqipëri vidhet një makinë në çdo 13 orë

Raporti mbi krimin: Vrasjet rriten ndjeshëm në periudhën korrik-shtator.
Një raport i Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim vëren një situatë problematike në lidhje me krimet kundër personit dhe pasurisë në Shqipëri. Sipas raportit që analizon situatën e kriminalitetit në vitin 2012 në Shqipëri, problemet kryesore kanë të bëjnë me numrin e lartë të vrasjeve dhe me shpeshtësinë e vjedhjeve ndaj banesave, makinave dhe bizneseve.
Studimi u referohet të dhënave zyrtare të marra nga Policia e Shtetit në përfundim të vitit 2012 dhe thekson se krimi që ndodh më shpesh në Shqipëri është vjedhja e banesave. Gjatë vitit 2012, në vend ka ndodhur një vjedhje banese çdo shtatë orë, plagosje e lehtë me dashje në çdo 6 orë, vjedhje biznesi në çdo 8 orë, kanosje në çdo 8.5 orë, armëmbajtje pa leje në çdo 9.5 orë, vjedhje automjeti në çdo 13 orë, krime kundër jetës thuajse në çdo 24 orë, vjedhje me dhunë ose me armë në çdo 27 orë, vrasje e mbetur në tentativë në çdo 36 orë dhe vrasje në çdo 72 orë. Raporti ka si redaktor përgjegjës Gjergji Vurmon dhe këshilltar Sotiraq Hronin.
Në dokument thuhet se problematika kryesore në krimet e vjedhjes dhe shkatërrimit të pronës është se ato nuk zbulohen. Për këto vepra penale, raporti i IDN thekson se zbulueshmëria është e ulët, nga 26 deri në 52 për qind. Krimet kundër pronës dhe vjedhjet e ndryshme shënojnë pikun e tyre në tremujorin e parë të vitit (periudha janar – mars) vëren raporti. 
VRASJET
Raporti i IDN thekson se një tjetër problematikë është numri i lartë i vrasjeve, ndonëse zbulueshmëria e autorëve të tyre konsiderohet e lartë. “Numri më i lartë i krimeve kundër personit regjistrohet kryesisht në tremujorin e tretë të vitit (periudha korrik – shtator). Bëhet fjalë për veprat penale të “vrasjes”, “vrasje nga pakujdesia”, “vrasje e mbetur në tentativë”, “krime kundër shëndetit”, “kanosje”, “plagosje e lehtë me dashje”, “dëmtime të tjera me dashje”. Në raport thuhet se vepra penale e “vrasjes” ka mbetur përgjatë vitit 2012 në të njëjtat ritme të larta si edhe një vit më parë, mesatarisht 31 vepra penale për 3-mujor. Prej vitit 2010 e në vazhdim Shqipëria shfaq shifrat më të larta të kësaj vepre penale në rajon, duke arritur pikën më të lartë në 2 vitet e fundit me rreth 4.4 vepra penale “vrasje” për 100 000 banorë. Në një krahasim të shifrave të krimeve kundër jetës, nga viti 2008 deri në 2012, theksohet se ky i fundit ka pasur numrin më të lartë me 88 vepra penale, ndërsa viti me më pak krime të kësaj natyre ka qenë 2009, me vetëm 79 raste. 
ARMËT
IDN thekson në raport se rastet e procedimit penal për armëmbajtje pa leje gjithashtu vazhdojnë të shënojnë rritje. Sipas të dhënave të Policisë së Shtetit, zbulueshmëria e kësaj vepre penale është në nivelet e 92% të rasteve, ndërkohë që për ndëshkueshmërinë e kësaj vepre penale dhe efektet te parandalimi i krimit në përgjithësi është e nevojshme që këto të dhëna të krahasohen me bazën e të dhënave të Gjyqësorit (vendimet e formës së prerë për këtë vepër penale)