Moment historik: "Ngrohje" e raporteve SHBA-Iran?

Në një opinion të publikuar në gazetën “Uashington Post”, para mbajtjes së takimit të përvitshëm të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së që do të organizohet javën e ardhshme, Irani i ka bërë thirrje Perëndimit për dialog. Presidenti iranian, Hassan Rouhani shkruan se, Perëndimi nuk duhet ta humbasë mundësinë për të nisur një dialog me qeverinë e re.
Ai thotë se, kombet duhet të kërkojnë marrëveshje “win-win” (me përfitim të dyanshëm) në vend të përdorimit të “forcës brutale” për terrorizmin, ekstremizmin, krimin kibernetik dhe sfida të tjera. “Ka perënduar koha e armiqësive me gjakderdhje”, shkrua Rouhani. “Liderët botërorë duhet t’i kthejnë kërcënimet në mundësi.” Shkrimi është sinjali i fundit i Iranit për të shkrirë marrëdhëniet me SHBA-të dhe vendet e tjera perëndimore, të cilët besojnë se Irani po ndërton armë nukleare dhe për këtë kanë vendosur sanksione ekonomike për të dëmtuar ekonominë e këtij vendi.
Asnjë president i SHBA-ve nuk është takuar me një lider iranian që prej kohës kur radikalët islamikë rrëzuan nga pushteti proamerikanin, Shah Mohammad Reza Pahlavi, 34 vjet më parë. Por tashmë, duket se, ka ardhur koha për një gjë të tillë. Shtëpia e Bardhë thotë se, nuk ka asnjë axhendë për një takim të mundshëm Obama-Touhani, por Sekretari për Shtypin, Jay Carney ka theksuar se, Obama është i hapur për diskutime me Iranin.