"Loja me Zotët" e Rugovës!

OPINION - Autor: Kimete Berisha

Pasi e shkatërroi çdo gjë që ndërtoi Ibrahim Rugova në LDK, Isa Mustafa po i shfrytëzon ditët e fundit nga pozita e kryetarit të komunës së Prishtinës që të luaj edhe me Zotin e Ibrahim Rugovës.

Kështu, krejt papritur, duke folur për problemet me pronën e Katedrales "Nënë Tereza" dhe lejet për të ndërtuar, doli Kancelari i Ipeshkvisë së Kosovës, Don Shan Zefi, dhe e ndërlidhi ndërtimin e objektit të Katedrales me fenë e Ibrahim Rugovës.
Tregoi që "ai nuk ka fakte", prandaj ka dilema se Ibrahim Rugova është konveruar. Tha se nuk e ka pagëzuar vetë Ibrahim Rugovën. Dhe se nuk ka dëshmi të sigurta për pagëzimin e mundshëm të tij.

Çka iu desh Don Shan Zefit të flas për Zotin (dhe fenë) e Ibrahim Rugovës!
Për të marrë lejen e ndërtimit nga komuna, e "rrënoi" idenë që Ibrahim Rugova ka qenë konvertuar në krishter!

Mbi të gjitha, me "privilegjin e konfesionit" prifti e ka të ndaluar të "zbulojë" fshehtësitë e "mëkatarëve" që i rrëfehen, prandaj në asnjë rast nuk bëhet dëshmitar ndërmjet gjyqit dhe të penduarit që i ka rrëfyer ndonjë fshehtësi.

Pse Don Shan Zefi nuk e respekton "Kodin e Rrëfimit"? Pra, nëse do të kishte fakte për fshehtësinë e Rugovës (apo kujtdo qoftë), kancelari do t'i zbulonte nëpërmjet intervistave nëpër gazeta!?

Don Shan Zefi, edhe sikur të kishte fakt për "konvertimin" e Ibrahim Rugovës nuk e ka të lejuar të zbulojë "fakte" të huaja.
Prifti nuk merret me thashetheme, dhe nuk spiunon fshehtësitë e huaja.

Ata që për së gjalli ia shpallën konevrtimin Ibrahim Rugovës, ata ia kthyen kryet kah Çabja në varr.

Askush, as familja e tij, dhe asnë njeri në botë nuk ka të drejtë të bëhet "avokat i besimit" të askujt, dhe të flas në emrin e Zotit të askujt.

Meqenëse vetë nuk është deklaruar për fenë e tij, atëherë cilit Zot i ka besuar Ibrahim Rugova ka qenë punë për të, dhe mikut të dashur Don Shan Zefi, nuk i ka hije të mistifikojë, të sillet si gazetar hulumtues.
Hiç, as andej, as këndej, atij nuk i takon atij të flas në emër të të vdekurve, për fenë e të vdekurve.

Emri islam nuk të bënë musliman. Tradita familjare po ashtu nuk të bënë musliman.
Për t'u konvertuar nga muslimani në katolik, duhet qenë së pari musliman. Nëse nuk ka fakte që Ibrahim Rugova është konvertuar në katolik, nuk ka fakte as që Ibrahim Rugova ka qenë musliman.

Sa shumë dhembje, nëse ky mistifikim rrënues bëhet në shkëmbim për leje ndërtimi, për katedralen "Nënë Tereza" që ishte ide e Ibrahim Rugovës.
Sa shumë pikëllim, nëse flitet për Zotin e Ibrahim Rugovës (të cilit rivalët ia ndërrojnë besimet sipas nevojave politike), për fushatë elektorale, për nevojën e ish-komunistit Isa Mustafa që të tërheq anën muslimane të votuesve.
Duke harruar se për shqiptarët nuk ka qenë aspak e rëndësishme se cilit Zot i ka besuar Ibrahim Rugoiva. Thjeshtë e kanë dashur, i kanë besuar dhe e kanë votuar.
Nuk mund edhe të të duan, edhe të të besojnë, edhe të të votojnë pa të dashur njëri nga Zotët!

Kur e humb Zotin tënd, nuk të shpëton asnjë Zot, Zoti i askujt.
e as "loja me Zotët" e Ibrahim Rugovës.

Qëndrimet e autorëve në rubrikën Opinione nuk paraqesin edhe qëndrimet e portalit TOP Lajme