Leonora Jakupi: Do ta lë muzikën!

Në muzikën shqiptare vitet e fundit ka vend për të gjithë. Të rinj e të vjetër. Modernë e demode.
Të gjithë synojnë suksesin. Disa ia dalin, të tjerë qëndrojnë në vend. E në këtë skenë gjigante për këtë vend të vogël, në të cilën hyjnë e dalin shumë këngëtarë ka gjithmonë nevojë për yje si ajo. Suksesi e ndjek gjithmonë, në çdo gjë që bën dhe kur bie fjala për të, të gjithë njëzëri themi se ajo është një ikonë e padiskutueshme e skenës. Leonora Jakupi, biondja me zërin e ëmbël dhe dukjen gjithmonë të kuruar, është artistja që çel siparin e rrëfimeve në “VIP Pages”, duke ndarë me ne momente të veçanta nga jeta e saj. Vështirësitë dhe dyzimi për ta lënë muzikën. Plani për të krijuar familje dhe mungesa e një mashkulli në krah. Armiqtë dhe kolegët që do më fort. Të gjitha këto në një intervistë ekskluzive për suplementin e të mërkurës,transmeton gazeta shqiptare.
Leonora si ka qenë kjo verë për ty?
Përgjithësisht e mirë, pasi i kam dhënë pushim vetes. Gjithmonë në fakt e kam bërë këtë, sa herë kam pasur nevojë për pushim. Nuk kam dashur ta shfrytëzoj periudhën e verës domosdoshmërisht për koncerte, për angazhime të profesionit që unë ushtroj, pasi e kam pasur vërtet të domosdoshëm pushimin. Ndoshta edhe nga angazhimet e shumta, sepse vitin që vjen bëj 20 vite që merrem me këtë punë dhe do s’do vjen një moment që lodhesh. Kështu kam shfrytëzuar rastin të shkoj me familjen tek të afërmit, të kaloj kohë me miqtë, kam bërë pushime, disa ditë në bregdetin shqiptar, në shtëpinë që kam në Durrës, disa të tjera në Brezovicë, në mal. Kam shfrytëzuar rastin edhe për të bërë ‘shopping’… I kam bërë të gjitha nga pak. Gjatë periudhës së verës jam marrë edhe me këngën, e cila është lançuar së fundmi, ndaj mund të them që stina e nxehtë këtë vit është mbyllur mirë, me telashe të vogla si çdo njeri.
20 vite karrierë, ke menduar ndonjëherë të tërhiqesh?
Është shumë e vështirë që të tërhiqesh kur e do një punë, por mendimi ekziston gjithmonë, sidomos kur lodhesh, në këto fazat kur ke nevojë për pushime, ndonjëherë thua po tërhiqem fare, por prapë ndryshon mendje. Është e vështirë sepse lufton me veten tënde, unë kam nevojë për muzikën dhe më mungon skena. Nuk është vetëm për përfitime materiale, kur njeriu hyn në këtë fushë vetëm për përfitime materiale, dështimi është i sigurt. Gjithmonë e kam thënë që nuk dua ta vazhdoj këngën deri në moshë shumë të madhe, sepse mendoj se nuk ka as shumë lezet. Do kisha pasur qejf t’i përkushtohesha familjes. Këngën do ta vazhdoja ta ushtroja, ndoshta ndonjë këngë për qejf pse jo do ta këndoja, por jo intensivisht.
Sa larg dhe sa afër e mendon krijimin e familjes?
Ndoshta jo shumë larg, por as shumë afër. Fatit kurrë nuk i dihet, dalin edhe gjëra që nuk i parashikon, shpeshherë punët i lë në dorë të fatit.
Këto vitet e fundit je bërë pjesë e medias rozë me lajme për fejesë, martesë… Si është kjo punë?
Nuk e di pse njerëzit nuk e kuptojnë që fejesa ose martesa nuk është diçka që fshihet. Nëse jo rrethi i gjerë, familja jote, miqtë e ngushtë do ta dinë dhe fjala do të përhapet. Më e keqja është se ndonjëherë nga këto lajme lëndohen anëtarët e familjes, siç ndodhi në rastin e fundit kur unë isha në Kosovë dhe mamin e kisha për pushime në Durrës dhe më mori në telefon e më tha dëgjova një lajm që ti je fejuar… Është shumë absurde dhe të bëjnë të ndihesh shumë keq shpeshherë Nuk është diçka që mbahet e fshehtë. Nuk është diçka e turpshme, njeriu e merr atë vendim kur ndihet i gatshëm, kur ka nevojë ta ndajë jetën me dikë tjetër, ndaj kur unë ta ndjej të nevojshme, atëherë do ta marr këtë hap, këtë vendim.
A të mungon dashuria, përkrahja e një mashkulli?
Kam pasur raste kur e kam ndjerë vetminë, mirëpo njeriu kalitet ndoshta me vitet dhe afërsia e madhe që kam me familjen, qëndrimi gjithmonë në praninë e tyre, nuk më kanë lënë të mërzitem (qesh). Nga ana tjetër jeta aktive që bëj, fakti që jam në kontakt me njerëzit gjatë gjithë ditës bëjnë që të mos ketë hapësira për kësisoj mendimesh.
Pas kaq vitesh në skenë, si e sheh sot tregun muzikor?
Rrëmujë, një lëmsh, që nuk e di çfarë të them. Unë e di që ka talente shumë të mira, të rinj që vërtet e duan muzikën dhe dëshirojnë të ecin përpara, por ka prej tyre që thjesht e kanë blerë një fustan, ose kanë parë diçka në televizion dhe duan të bëhen si dikush tjetër, sinqerisht kjo është e tmerrshme. Ndoshta në të gjitha bizneset është kështu, nëse ti hap një biznes sot, menjëherë komshiu yt ka për ta kopjuar atë nesër, mirëpo me artin nuk ka lojëra. Ndonjëherë shohim antivlera aq shumë sa na zë kjo dhe kjo është si pasojë e mediave tona, sepse mediat tona, persona të caktuar i favorizojnë, madje i inkurajojnë që të merren me atë punë. Duke lënë pas njerëz, të cilët nuk kanë ndoshta mundësi materiale që të ekspozohen, e të tregojnë veten, por janë shumë herë më të talentuar.
Ç’marrëdhënie ke me kolegët? I konsideron rivalë, apo miq?
Miq, ata që i dua dhe për të cilët kam respekt i konsideroj miq shumë të mirë. Gjithmonë ka rivalitet, në cilindo profesion, por unë me thënë të drejtën, ndoshta ngaqë gjithmonë kam ndjekur rrymën time, punët e mia, asnjëherë nuk e kam parë dikë si rival, sepse tek e fundit, nëse njerëzit të pranojnë, të duan, të respektojnë, është e kotë të përzihesh me dikë tjetër, ai publik është vetëm i yti.
Nga këngëtarët shqiptarë dhe nga ata të Kosovës, cili është i preferuari yt. Një që sa herë e dëgjon, nuk të zhgënjen…
Këto vitet e fundit, definitivisht, një që sa herë e dëgjoj nuk më zhgënjen është Dafina Zeqiri. I ka të gjitha predispozitat e një artisteje të mirëfilltë, është e jashtëzakonshme. Nuk po flas pastaj për këngëtarë me më shumë eksperiencë, të cilët i kam dashur gjithmonë dhe kam pasur gjithmonë respekt, siç është Dani, Xeni, Sinan Vllasaliu, etj. Sa i takon Shqipërisë, Flori, përfundimisht Flori. Jo vetëm ai si kantautor, por të gjitha krijimet që ai bën janë të destinuara për të qenë hit. Nuk më ka zhgënjyer kurrë.
A jetohet me muzikën?
Jetohet, por edhe s’jetohet. Në kushtet e kësaj rrëmuje për të cilën folëm është shumë e vështirë. Muzika kërkon investim, është profesion i shtrenjtë, i kushtueshëm dhe nuk është aq e lehtë.
A ke armiq?
Si çdo njeri, kam.
Si sillesh me ta?
I injoroj, nuk i shoh fare madje. Hiç s’i shoh, e kam këtë të mirë që nuk i shoh hiç, dua vetëm të mirën ta shoh, të keqen e mbaj larg.
Leonora shtylla e familjes, njeriu ku përplasen të gjithë. Sa i vështirë është ky rol?
Unë kam pasur fatin që të kem krah vetes një nënë shumë të fortë, një grua të hekurt, e cila i ka ruajtur themelet e familjes shumë fort. Na ka edukuar shumë mirë, na ka dhënë një edukatë të jashtëzakonshme, për të cilën unë përjetësisht do ta falenderoj dhe nëse ndonjëherë do të isha bërë nënë, nuk do kisha ndryshuar asgjë, do kisha dashur të bëhesha si mami im. Të gjitha vajzat i idealizojnë nënat e tyre, por realisht nëna ime ka mbetur e ve në moshë shumë të re dhe ka sakrifikuar shumë për ne, kështu që ne ia kemi borxh. Ndoshta për mua ka qenë e vështirë në fillim, kur ne humbëm babin, para 15 viteve kur isha ende e re dhe duhet të bëhesha në një farë mënyre shtylla e familjes… Së bashku me mamin, s’mund të them që e kam drejtuar unë familjen, sepse edhe sot e kësaj dite vazhdon të drejtojë mami. Unë vazhdoj të jem vajza e saj. Të gjitha sfidat dhe problemet së bashku jemi munduar t’i kalojmë dhe nuk ka qenë aspak e lehtë.
Dimë që pika jote e dobët në familje është mbesa, ç’marrëdhënie ke me të?
O Zot, nuk di ta shpjegoj.
E ke bërë me të kursin e mëmësisë?
Po, po i kam mësuar të gjitha.
Përpara se të vinte në jetë Morea, e kam pasur dëshirën për të qenë nënë, por kur erdhi ajo ngaqë jam marrë shumë me të, më ka humbur dëshira, jam mjaftuar me Morean, më duket sikur është e imja. Unë nuk e di çfarë është dashuria për fëmijën, por ajo dashuri që ndjej për Morean është e pakrahasueshme. Është Zoti një, mami dy dhe Morea. Tri gjërat më të rëndësishme për mua.
Cila është marrëdhënia që ke me Tiranën? Duhet thënë që ke shënuar jo pak suksese këtu…
Dashuria ime për Tiranën është e pakufij. Shpeshherë kur dua t’u tregoj njerëzve dashurinë për Tiranën, flas shumë, por prapë s’them asgjë… Në momente të caktuara të jetës më mungon shumë Tirana. Ndoshta vij sot dhe shkoj nesër dhe përsëri më mungon. Në momentin kur e kaloj kufirin e Kosovës për në kufirin shqiptar kam një ndjenjë krejt tjetër, ndoshta ngaqë jemi rritur me dashurinë për Shqipërinë… Mund të them lirisht se Shqipëria është vendlindja ime e dytë.
Sa shpesh vjen këtu?
Shumë shpesh vij. Njerëzit nuk më shohin se unë nuk dal, por kam fatin që kam shtëpinë në bregdet dhe rri aty meditoj, qetësohem, kënaqem. Për mua Shqipëria është gjithçka dhe unë gjithmonë kam ëndërruar që Shqipëria të bashkohet dhe kjo ka ndodhur, na ka lidhur tashmë autostrada. Edhe në aspektin kulturor jemi shumë më të lidhur kështu që veç përpara ishalla edhe kufij shtetëror s’kemi më.
Të shohim gjithmonë të kuruar në pamje, si ia del?
Si mendon, kështu nga pamja fizike me disa kile të shtuara (qesh). Për besë nuk bëj asgjë, pasi jam shumë dembele kur vjen puna tek vetja ime, nuk merrem me fitness, dieta jo e jo, ndonjëherë madje abuzoj me ushqimin, nuk është se ha shumë, por ha shpesh dhe kjo ndikon ca në fizikun tim, megjithatë e rikuperoj shpejt gabimin. Ajo që unë i kushtoj shumë rëndësi dhe që mendoj se duhet t’i kushtojë rëndësi çdo femër është mirëmbajtja e lëkurës, që unë e kam bërë vazhdimisht prej shumë vitesh. Edhe nëse kthehem në shtëpi në orët e vona, në agim asnjëherë nuk kam fle me grim, e pastroj gjithmonë fytyrën. Nga ana tjetër përpiqem që të përdor produktet më të mira, që janë adekuate për lëkurën time. Pa dyshim që profesioni që ne bëjmë është shumë stresues dhe gjithë ai make up ndikon në lëkurë, ndaj unë përpiqem t’i kamufloj me kremra problemet.
Si për fund, kur do të të shikojmë sërish me një këngë të re?
Ishalla së shpejti. Nuk po ia bëj si kësaj radhe me këto mungesa, 1 vit, 2 vjet, e 3 vjet. Besoj do të jem më shumë aktive nga ç’kam qenë vitet e fundit, sepse vërtet siç e thashë edhe më herët, edhe nevoja për pushim e ka bërë të vetën. Duhet me qenë pak më aktive këto kohë.
- See more at: http://fishmedia.info/vip/leonora-jakupi-do-ta-le-muziken/#sthash.juJtm2VX.dpuf