Hashim Thaçi i lumtur për largimin e Berishës, i jep dorën e fundit njeriut që deshi ta rrëzonte nga pushteti

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, duket se është një ndër njerëzit më të lumtur dhe të gëzuar për rrëzimin e Sali Berishës nga pushteti. Përpos 1 milion shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve, largimi i Sali Berishës nga pushtetit i ka kthyer qetësinë e humbur edhe Hashim Thaçit. Siç edhe është konfirmuar tashmë nga Departamenti i Shtetit Amerikan, Sali Berisha ka qenë rreziku numër një për rrëzimin e Hashim Thaçit nga pushteti. Ky i fundit është ankuar tek amerikanët, ndërsa u ka kërkuar të ndalonin Sali Berishën, pasi ishte përpjekur për ta përmbysur nga pushteti. Pas këtij konflikti, i shuar me ndërhyrjen e amerikanëve, marrëdhëniet midis Berishës dhe Thaçit ishin të tensionuara dhe plot mosbesim për disa vite me radhë. Por ka mjaftuar largimi i Sali Berishës nga pushteti që Hashim Thaçi të bënte një vizitë të befasishme në Tiranë për t’i dhënë lamtumirën dhe dorën e fundit armikut të tij të përbetuar, i maskuar si mik dhe dashamirës i Kosovës. Hashim Thaçi u shfaq dje në Tiranë, ku zhvilloi një takim me Berishën për t’i dhënë lamtumirën e fundit. Në një konferencë për shtyp, Thaçi foli gjatë, ndërsa u duk shumë i lumtur dhe si i çliruar nga një makth i tmerrshëm.
Takimi
Kreu i qeverisë, Sali Berisha, përgëzoi kryeministrin Thaçi për marrëveshjen e arritur në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe vlerësoi përgjegjshmërinë e treguar nga ky i fundit për një çështje madhore për shqiptarët. “E përgëzova përzemërsisht për marrëveshjen, apo procesin e Brukselit, me të cilin po hapin një kapitull të ri në drejtim besoj të paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor , të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, por dhe shqiptarëve dhe serbëve. Thaçi ka dëshmuar një shkallë të lartë përgjegjshmërie dhe vendosmërie të madhe që procesi të konkretizohet me sukses. Për shqiptarët marrëveshja e Brukselit është e një rëndësie të madhe”, u shpreh Berisha. Kryeministri në ikje, Berisha, vlerësoi se perspektiva evropiane e Shqipërisë dhe e Kosovës është më e avancuar se asnjëherë. Sipas tij, kjo perspektivë do të jetë një ndihmesë për lirinë dhe sigurinë e shqiptarëve. “Zhvillimet e vendeve tona janë të një trendi pozitiv. Perspektiva Evropiane e Shqipërisë dhe Kosovës është më e avancuar se asnjëherë. Aty shqiptarët do bëhen më të lirë më të mëkëmbur dhe më të sigurtë”, tha Berisha. Nga ana e tij, kryeministri Thaçi theksoi faktin se vizita e tij në Tiranë ishte miqësore dhe gjithashtu për t’i shprehur falënderimet mikut të tij, Sali Berisha, për bashkëpunimin e shkëlqyer, gjatë mandatit të tij 8 vjeçar në qeveri. “Kryeministri Sali Berisha ka bërë një punë të madhe për njohjet e Kosovës. Një falënderim i veçantë i shkon kryeministrit Berisha për ndërtimin e Rrugës së Kombit”, u shpreh Thaçi. Por nga ana tjetër, kryeministri në detyrë, Berisha nuk ka lënë pa përmendur se vizita e homologut të tij vjen në momentin e largimit të tij nga pushteti. “Në këtë detyrë jam ende unë deri në momentin që kryeministri i ri të bëjë betimin”, tha Berisha.
Dokumenti, Thaçi denoncoi Berishën
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka denoncuar tek amerikanët tentativat e kryeministrit Berisha për të ndërhyrë në punët e brendshme të Kosovës, me qëllim për të diktuar edhe forcën politike që duhet të qeverisë vendin. Një dokument sekret i zbardhur nga Wikileaks, Hashim Thaçi ishte shumë i brengosur dhe i fiksuar nga ndikimi politik i Sali Berishës në Kosovë në verën e vitit 2009, pak muaj para zgjedhjeve lokale të 15 nëntorit. Në një bisedë private zyrtarë të ambasadës amerikane në Prishtinë, më 13 gusht 2009, Thaçi ishte shprehur i brengosur nga “përzierja në politikën e Kosovës” që sipas tij bën kryeministri i Shqipërisë. Kështu thuhet në një kabllo ende të pabotuar diplomatike, që është dërguar nga Ambasada amerikane në State Departament, dhe një kopje të së cilës e posedon “Koha Ditore”. “Në një bisedë private menjëherë pas takimit, Thaçi i tha të ngarkuarit me punë se ishte i brengosur nga përzierja e kryeministrit Sali Berisha në politikën e Kosovës”, thuhet në kabllo, që flet për takimin e Thaçit me të ngarkuarin me punë në Ambasadë, Michael Murphy.
Thaçi: Mirënjohës Metës për lirinë e Kosovës
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, zhvilloi një takim në Tiranë edhe me kreun e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta. Kryeministri i Kosovës vlerësoi maksimalisht bashkëpunimin me zotin Meta, si dhe i shprehu mirënjohjen për angazhimin e tij në përpjekjet për lirinë e Kosovës. Thaçi e cilësoi kreun e LSI-së si bashkëluftëtar të betejave për çlirimin e Kosovës. “I jam shumë mirënjohës z. Meta për angazhimin e tij personal, të pakursyer e të jashtëzakonshëm në mbështetje të përpjekjeve për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”, u shpreh Thaçi. Nga ana e tij, lideri i LSI, Meta, shprehu gatishmërinë e LSI-së për forcimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Shqipërisë, nëpërmjet një bashkëpunimi në të gjitha nivelet. “Besojmë se me këto vizione evropiane do të arrijmë të ecim më shpejt drejt përmbushjes së aspiratave të shqiptarëve drejt një stadi të ri të marrëdhënieve të Shqipërisë me BE, Kosovës me BE, konsolidimit të mëtejshëm të pozicioni ndërkombëtar të Kosovës”, tha Meta.
Nishani pret Thaçin: Shqipëria do mbështesë Kosovën
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, në takimin me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, vlerësoi karakterin strategjik të marrëdhënieve të Shqipërisë me Kosovën, të cilat synojnë të shndërrohen në marrëdhënie model në rajon, në përputhje me dëshirat dhe aspiratat e dy vendeve, për t’u integruar në institucionet evropiane dhe euroatlantike. Kreu i shtetit, Nishani shprehu angazhimin për të mbajtur hapur institucionalizimin e një dialogu politik intensiv në nivelet më të larta dhe siguroi se, Shqipëria do të vazhdojë të mbështesë fuqimisht Kosovën në rrugën e saj të integrimit evropian dhe gatishmërinë të ofrojë përvojën e saj për proceset integruese. Nga ana e tij, kryeministri Thaçi shprehu mirënjohje për mbështetjen e gjithanshme të Republikës së Shqipërisë dhe nënvizoi vendosmërinë që Kosova të ecë në rrugën e reformave dhe integrimit euroatlantik ndërsa vlerësoi rolin mbështetës të Shqipërisë si të pazëvendësueshëm në procesin e njohjeve, nismave rajonale dhe integrimit të Kosovës.
Basha takon Thaçin
Kryetari i ri i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, njëherësh kryebashkiaku i Tiranës ka qenë politikani i radhës me të cilin është takuar dje kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi. Sipas Bashës, edhe pse PD do të jetë në opozitë, do të vazhdojë të mbështesë Kosovën. “Patëm rasti të shqyrtojmë disa çështje të bashkëpunimit mes dy kryeqyteteve, diskutuam për detyrën time të re, por rolin e opozitës së re në parlament, për rolin dhe vizionin që do kemi për Kosovën dhe integrimin evropian të Kosovës dhe Shqipërisë dhe evropianizimin në tërësi të Rajonit. Sigurova Thaçin që nuk do mungojë bashkëpunimi nga PD edhe në opozitë”, tha Basha. Nga ana e tij, Thaçi vlerësoi rolin e Bashës në njohjen e pavarësisë së Kosovës si dhe në ndërtimin e rrugës së Kombit. “Takohem me mikun Basha, Kryetarin e Bashkisë, liderin e ri të opozitës shqiptare. E urova për zgjedhjen në krye të PD, kam besim të plotë për të ardhmen e Shqipërisë, ka qenë në krye të përgjegjësive për liberalizimin e vizave”, u shpreh Thaçi.