Në Shqipëri jeton një komunitet i vogël sirianësh, njëra prej tyre është Alja Noha, një vajzë e re siriane që ndjek studimet në Shqipëri dhe që vendosi të flasë për “Wake Up” me Eno Popin. Ajo tha se që në nisje të revolucionit sirian, që në nisjet e hershme të protestave kundër regjimit të presidentit Bashar al-Assad, komuniteti sirian në gjithë botën ka kërkuar ndihmën ndërkombëtare.
“Sot, kur kanë kaluar tre vjet që nga nisja e protestave, që më vonë u përshkallëzuan në konflikt të hapur dhe luftë civile, asnjë nga komuniteti ndërkombëtar nuk ka dëgjuar zërin e sirianëve,” tha Alja.
“Wake Up” mundësoi një lidhje telefonike me Ahmad Trad, pjesëtar i forcave rebele që lufton në periferi të qytetit të Idlebit. Ai tha se ka grupe radikale që luftojnë në Siri, por që nuk kanë peshën kryesore në konflikt.
Trad pranoi se në Siri ka shqiptarë që luftojnë kundër regjimit të presidentit Bashar al Assad, por se këta shqiptarë nuk janë pjesë e rebelëve, por e grupeve radikale fondamentaliste që luftojnë për rrëzimin e presidentit Assad dhe për ngritjen e një shteti islamik, ku ashtu siç tha edhe analisti Ilir Kulla, i ftuar gjithashtu në “Wake Up”, Damasku të jetë qendra e Kalifatit, ashtu si përpara 1 mijë vitesh.
Social Plugin