Sherr me thika në mes të pushuesve në Sarandë. Tre persona janë përleshur mbrëmë mes tyre, në shëtitoren buzë detit në qytetin jugor, i mbipopulluar këtë sezon nga turistët vendës e të huaj.
Burime nga vendi i ngjarjes thanë se ngjarja ndodhi rreth orës 21:30, në kohën e pikut të xhiros së darkës nga qindra pushues. Dita e djeshme kishte shënuar dhe një fluks turistësh në qytetin e Sarandës, një pjesë e të cilëve që ndodheshin në shëtitoren “Hasan Tahsin”, janë tronditur nga skena.
Sipas dëshmitarëve, fillimisht kanë vërejtur tre të rinj të përlesheshin mes tyre e që më pas kanë nxjerrë thikat, duke qëlluar njëri-tjetrin. Vetëm kur kanë parë të gjakosur personat, dëshmitarët kanë ndërhyrë, duke lajmëruar policinë dhe duke bërë transportimin e tyre në urgjencën e Spitalit të Sarandës.
Nga të dhënat e para, sherri ka ndodhur mes dy vëllezërve nga fshati Bajkaj i Delvinës, Renato dhe Ermal Isufaj, 37 dhe 30 vjeç, si dhe Pëllumb Alushit, 37 vjeç nga Saranda. Sipas Policisë, dyshohet për motive banale, por pritet dalja e tyre nga rreziku që të japin dëshmitë. Dy prej të plagosurve janë në gjendje më kritike, për shkak të plagëve të shumta që kishin marrë.
Social Plugin