Rita Ora, adhuruese e tatuazheve

A e keni ditur se këngëtarja e famshme kosovare Rita Ora ka ndjekur të njëjtën shkollë sikurse Amy Winehouse dhe ish anëtarja e grupit “Spice Girls”, Emma Bunton, apo që ka hyrë në finalen e garës “Eurosong”? Mësoni disa gjëra të paditura për të deri më tani. Viti i kaluar ka kaluar në shenjën e saj, falë albumit debutues 'O.R.A', i cili ka mbretëruar në top-listat botërore, ku të gjithë kanë kënduar këngët e saj, ka impresionuar aktorin Vin Diesel në filmin “Fast and Furious 6”, ndërsa ka qenë edhe anëtare e jurisë së shout ‘The X Factor’.
Pak kush e ka ditur se si adoleshente ajo e ka sprovuar veten edhe si aktore, ku në vitin 2004 është paraqitur në filmin ‘Spivs’. Është një adhuruese e madhe e tatuazheve, ku ka 15 sosh, mes tyre edhe të perëndeshës greke Afrodita, pastaj fjalët “Shpresa” dhe “Dashuria” si dhe emrin e motrës së saj Elena. Kur ishte vetëm 17-vjeçare ka nënshkruar kontratë me shtëpinë diskografike “RocNation” pronë e reperit të famshëm Jay-Z. Edhe pse para dy vitesh ka hyrë në finalen e garës britanike për ‘Eurosong’, ajo e kishte kuptuar se kjo nuk është për të dhe kishte hequr dorë.
“Nuk jam tip i këngëtares për Eurosong”, kishte thënë ajo. Si shembull të modës e ka këngëtaren Gwen Stefani. Para se të dy të bëheshin të popullarizuar, Rita ka qenë në romancë me këngëtarin Bruno Mars dhe për të Rita ka thënë se ishte dashuri në shikim të parë. Rita e pranon se është e varur ndaj parfumeve, ndërsa parfumi i saj i preferuar është ‘Chanel Chance’. “Në çantën time gjendet rregullisht një shishe e parfumit të tillë. Nuk mundem pa të”, ka deklaruar ajo.
Në skenë nuk mund ta shihni me take të larta: “Nuk mund të interpretojë në take të larta. Me siguri se do të thyhesha. Unë jam sikurse djemtë, pasi në skenë ekzistojnë vetëm atletet”. E nëse do të dëshironte të përhapte ndonjë thashetheme për veten e saj, kjo do të ishte se po martohet me princin Harry. “E adhuroj Princin Harry. Ai është shumë simpatik”, është shprehur këngëtarja shqiptare.