Pastrimi etnik i Mitrovicës u bë nga KFOR-i francez dhe lideri politik i UÇK-së

NAIM MIFTARI
Dihet se ndërmjet natës së 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000, 10 shqiptarë u vranë prej pjesëtarëve të formacioneve serbe, ndërsa 1.564 familje shqiptare me gjithsej 11.364 veta u dëbuan dhunshëm nga banesat e tyre në veri të Mitrovicës. Dëshmitë bëjnë me dije se në atë kohë, grupet kriminale serbe, brenda një nate iu vërsulën familjeve jo-serbe që jetonin në pjesën veriore të Mitrovicës, duke vrarë 6 persona brenda një nate të vetme, ndërsa 4 persona të tjerë humbën jetën më pas nga plagët e marra nga armët e zjarrit dhe granatat e përdorura gjatë sulmit, dhjetëra qytetarë kryesisht shqiptarë të tjerë u plagosën, ndërsa edhe qindra familje janë detyruar të kalojnë në bregun jugor të lumit Ibër, duke lënë prapa disa shtëpi në flakë.
Me datën 3 shkurt të vitit 2000 në ora 09.30 erdhi në zyrën time në katin nr. 2, dhoma 17 -G2, një burrë rreth të tridhjetave dhe më është prezantuar si “SHPATI’’ nga Shtabi i Përgjithshëm, të cilin e njoh edhe sot, si emër i njohur për mua, dhe mu drejtua me fjalët se: bisedova me Rrahman Ramën dhe ai më drejtoi tek ti në zyrën e G2-shit. Shpati më pyeti se a kishim njerëz në veri, i thashë se po, dhe se ishin rreth 30-40 veta ushtarë civil dhe se i kemi në veri rreth 150 armë të kalibrave të ndryshëm, por me pak municione pasi nuk kishim municion në atë kohë, dhe i kishim trajnuar tri grupe civilësh shqiptarë të veriut për mbrojtje dhe në rast të luftës brenda Mitrovicës. Tek ne i ka sjell ato grupe civile për trajnime profesori A. M. trajnimet janë bërë në Qiqavicë ... “Shpati” më është drejtuar më pas se ndodhej në zyrën time me urdhër të Kadri Veselit dhe Hashim Thaçit dhe Shtabit të Përgjithshëm (SHTP). Shpati më tha se duhet të largohen menjëherë “ata njerëz tuaj nga veriu i Mitrovicës sepse është një vendim i prerë nga Kadri Veseli dhe Hashim Thaçi dhe SHTP”. Dhe kur unë i kërkova arsyet pse? Ai më tha sepse Garda e Drenicës do të hynte sonte atje dhe që të mos të vinte deri tek vrasjet ndërmjet veti pasi do të jetë errësirë dhe nuk njiheshin ndërmjet veti duhet të largoheshin ata njerëz nga veriu!
Isha shumë i dyshimtë nga këto kërkesa, pasi kjo që po ndodhte ishte e papritur, isha totalisht i pa informuar, por vendimin më duhej ta zbatoja. Pyetja ime ishte a ma mirë me qenë edhe 40 njerëz tonë atje dhe se nëse kishte nevojë të shkonim të gjithë andej, ai (“Shpati”) mu përgjigj dhe tha se ky është urdhër tepër sekret, as Rrahman Rama nuk i din hollësirat pos neve, ''ti largojmë njerëzit e juaj, kurse të tjerat janë probleme tonat që i zgjedhim ne. Unë i kam thirrur ushtarët tonë dhe me radio lidhje, që të largoheshin nga veriu dhe armët të fshiheshin që mos ti gjente KFOR-i. Atë natë komandanti i zonës Rrahman Rama kishte shkuar në Prishtinë në banesën e tij. Ne prisnim se çka do të ndodhte edhe pse nuk e besoja aspak ketë “aksion të GARDES''?! sepse atje ishin 5.000 forca franceze, plus mijëra ushtarë danez të KFOR-it. Ne ishim disa shokë afër urës dhe nuk vërenim ndonjë risi në lëvizje përpos që forcat franceze ishin të alarmuara dhe disa ushtarë tonë na përcillnin hap pas hapi, dhe kah ora 19.00 kemi dëgjuar dy detonime me dy buçitje. Nuk kanë kaluar as 5 minuta dhe na kanë rrethuar ushtarët e KFOR-it francez dhe na kanë dërguar në hollin e hotelit Adriatik, duke na akuzuar se ne UÇK-TMK-ja i sulmuam serbët,... ata na kanë mbajtur deri mbas orës 23.00 me forcë duke na pamundësuar kontaktin jashtë ndërtesës, aty na i morën radiolidhjet. Dhe i vetmi arsyetim i komandës franceze që na mbante aty me forcë, ishte se ata e kërkonin Rrahman Ramën aty të jetë personalisht!, e ai ishte në Prishtinë dhe për fat të keq nuk i bënte telefoni? Neve na liruan dikur kah ora 23.00 dhe tanë kohën na akuzonin se kinse UÇK-TMK-ja po luftonte në veri dhe se do të jepnim llogari para NATO-s? Më vonë kah ora 12.00 pas mesnate kam shkuar në Shtab, që të informohesha se çka po ndodhte pasi kur u lirova me shokë, takuam shumë civil të ikur nga atje... Kujtoja se tanët janë ka luftojnë në veri, por civilët tregonin një storie krejt tjetër sepse atje serbët po i sulmonin shqiptarët dhe jo e kundërta.
Më vonë erdhi një ushtarak i NATO-s me emrin Marshall De Mella MSU dhe më tha, se ka të vrarë dhe janë shqiptarë, por tani është ora 1.00 e natës dhe se edhe ata MSU-ja po e kanë të vështirë të lëvizin në veri. Dërgova një patrullë tonën, nja 10 ushtarë që të tentonin të depërtonin sa më afër veriut, por ishin sulmuar me armë posa ishin vërejtur nga autoblindat e KFOR-it francez, të cilët e kishin bllokuar nga jashtë Mitrovicën veriore me perde çeliku, tanke dhe automjete të blinduara, por nga brenda kishte “lejuar” në heshtje që serbët të bënin kërdi mbi civilët duarthatë shqiptarë? Në analizën tonë ma vonë na doli që sulmin e parë me predha në orën 19.00 me 2 ZOLLA e bënë dy djem që ishin të dyshimtë edhe gjatë luftës (gjatë bombardimeve të NATO-s), ne G2 i UÇK-së i kishim arrestuar pikërisht këta dy provokatorë për grabitje automjetesh në Mitrovicë në emër të UÇK-së, dhe të një komandanti nga zona e parë e Drenicës... Këta dy persona kishin shkrepur dy Zolla nga një shkollë fillore nga jugu i Mitrovicës në pjesën veriore, por nuk kishin vrarë apo plagosur askë në veri të Mitrovicës! Domethënë krejt “Garda” ishte e përbërë nga dy persona. ata që të dy të arrestuar më parë po nga UÇK-ja për grabitje, shkrepën dy armë - zolla nga Jugu dhe ikën me vrap, nuk vranë apo plagosën askënd, mirëpo serbët kishin qenë në pritje të përgatitur për luftë dhe të ndihmuar nga KFOR-i francez, i cili kishte së paku 7.000 ushtarë dhe policë – Xhandar, dhe nuk mundi ti ndalonte vrasjet apo ta arrestonte asnjë sulmues serb kjo s’do koment!
Nga të gjitha këto lehtësisht kuptohet se e gjitha ishte një skenar mirë i përgatitur nga inteligjenca e KFOR-it francez me disa shqiptarë dhe serbë? Me datën 03.03.2000 të vrarë ishin Sebiha Abrashi, boshnjakja Selime Berisha, Muharrem Sokoli, Nderim Ajeti, Nerimane Xhaka dhe Remzije Canhasi, të vrarë në natën ndërmjet 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000 në pjesën veriorë të Mitrovicës. Këta persona janë vrarë dhe masakruar nga grupi kriminale serb, MUP-i i Serbisë me në krye ish komandantin Dragan Delibashiç, i cili ka përdorur “Osa” armë 90 mm dhe Oliver Ivanoviç.
Dokumenti sekret ''Pandora'' i NATO-s që inkriminon Oliver Ivanoviçin. Për angazhimin e këtyre dy udhëheqësve të këtij operacioni, si dhe të shumë kriminelëve të tjerë, rezultojnë fakte si edhe një dokument i policisë së UNMIK-ut, i njohur po me emrin “Pandora”. Botërisht dihet se ndërmjet natës së 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000, 10 shqiptarë u vranë prej pjesëtarëve të formacioneve serbe, kurse 1.564 familje shqiptare me gjithsej 11.364 persona u dëbuan dhunshëm nga banesat e tyre në veri të Mitrovicës.
Muharrem Sokoli qe rrahur nga një grup serbësh deri në humbjen e vetëdijes, ndërsa më pas i ishte hedhur edhe një bombë që ia kishte marrë jetën. Ndërsa, për rastet e Nderim Ajetit (13) dhe të Nerimane Xhakës, sipas këtyre burimeve, kanë ekzistuar fletëparaqitje penale kundër të dyshuarve: Ish- kryepolicit serb Dragan Delibashiç, ish-shefit të Këshillit Nacional Serb për veriun e Kosovës dhe udhëheqësin e rojeve të urës Oliver Ivanoviçin dhe ndaj qytetarëve I.V., N. V., S.M. dhe S.L.
Nga ky rast, ShPATIN nuk e kam takuar më, e njoh mirë, por kushdo që e ka dërguar atë ditë tek unë e ka pas me HILE, dhe se e kanë shfrytëzuar naivitetin {BESIMIN} e parezervë që kishim në atë kohë ndaj eprorëve tanë, sidomos ndaj liderit politik Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Agim Çekut, ... prandaj është mirë që këtë pyetje me ia shtruar edhe SHPATIT, se aty nuk kishte kurrfarë Garde, kurrfarë sulmi për marrje të veriut, kurrfarë forcash, por ishte një provokim-skenar, i përgatitur mirë nga eprorët e lart të KFOR-it francez dhe po ashtu nga shefat e SHPATIT dhe shefat tanë... Nuk dua të paragjykoj atdhetarinë e SHPATIT, në asnjë rrethanë, por kur e analizoj rastin edhe vështirësitë, problemet që i kemi pas me vendos në Mitrovicë UÇK-në, edhe nga vetë Shtabi i Përgjithshëm (SHTP), dyshimet rriten tek strukturat më të larta që kanë qenë të lidhur me KFOR-in, DGSE- franceze. Botërisht dihet se kryeministri jonë, ka pasur lidhje shumë aktive me DGSE-në e Francës. Më duhet edhe të shtoj, sa herë që ka patur demonstrata në Mitrovicë, e që shumicën i kemi nisur vet, ne, çdo herë që janë bërë demonstratat shumë masive, me dhjetëra herë me urdhër të Hashim Thaçit dhe Agim Çekut dhe Kadri Veselit janë ndalë ato. Kjo ka vazhduar deri në muajin mars të vitit 2000, kur jam larguar nga Mitrovica. Dhe bëhet pyetja pse? Kësaj radhe kaq... por do të ketë edhe pjesë tjera të panjohura gjer sot, por jo vetëm për Mitrovicën... Njoftoj mediat vendore se pa më kontaktuar në telefon apo personalisht të mos publikojnë, sidomos letra, kinse nga unë sikurse ishte lojë letrash me Nazim Bllacën, që bënte KTV-ja, sepse deri më sot unë vetëm një 1 shkresë ua kam dërguar mediave dhe atë, “Botës sot” që e kam dorëzuar personalisht shkresën në redaksi. Çdo publikim kinse i imi pa verifikim adekuat do të paditen publikuesit në gjykatë, menjëherë.

Ps. Autori është ish pjesëtar i lartë i G2 -ZKZ-SHIK-ut.