Historia e tyre e dashurisë ka zgjatur me vite të tëra, dhe gjatë këtyre viteve siç ka pasur uljet dhe ngritjet, ashtu ka pasur dhe ndarjet e vogla kjo histori, edhe për faktin se ka qenë një lidhje në distancë.
Moderatorja e “Top Channel”, Luana Vjollca dhe këngëtari nga Maqedonia, Adrian Gaxha, e kanë përjetësuar dhe në këngë historinë e tyre disavjeçare, pikërisht “Ngjyra e kuqe”, të cilën Adriani ia dedikonte Luanës fundvitin e kaluar, në rikthimin e tyre së bashku, para Vitit të Ri 2012. Por tashmë fjalëve të përhapura për ndarje përfundimtare Adriani ua ka vënë vulën, duke e deklaruar publikisht.
Ai ka qenë i ftuar në programin veror të Eni Shehut, që transmetohet në “ABC News”, ku pyetjeve të tij për karrierën dhe jetën private ai u është përgjigjur nga plazhi i Dhërmiut. Një nga pyetjet ka qenë dhe për lidhjen me Luanën, për të cilën Adriani ka pohuar se “Nuk jemi më bashkë, tashmë jemi ndarë përfundimisht”. Nuk dihet se si e ka pritur Luana këtë deklarim të tij, pasi ajo edhe pse nuk ka pranuar të flasë asnjëherë publikisht për lidhjen, ndarjet e përfolura i ka mohuar.
Fotot e fundit të çiftit së bashku u hodhën nga vetë Luana në Instagram, të shkrepura në natën përmbyllëse të “Kënga Magjike”, ku Adriani fitoi çmimin e internetit me këngën “Ngjyra e kuqe”. Ai nuk ngurroi të shprehej se Luana kishte qenë një inspirim shumë i bukur për krijimin e një kënge kaq të suksesshme dhe që u prit mirë nga publiku.
Social Plugin