Kanada, shqiptarja nga pastruese në drejtoreshë e 200 milionë dollarëve

KANADA- Aida Bejte (Lumi), vajza nga Peqini, që jeton në Toronto(Kanada) është një grua me karakter të fortë, që nuk di të tërhiqet në përballje me jetën, edhe kur ajo, jeta, përpiqet ta sfidojë.

Fillimi i saj në Toronto ishte paksa ironik, asaj, ish studentes së shkëlqyer të Ekonomikut, i duhej që të bënte punët e pastrueses në një institucion financiar, ku paguhej sa për bukën e gojës…Puna e saj e fundit…Drejtoreshë e Financës për Amerikën e Veriut, për një kompani me buxhet rreth 200 milionë dollarë. Dita e saj më e vështirë? Kur u diagnostikua me kancer. Ishte beteja më e fortë.
 
Kush është Aida?- ju lutem një prezantim për lexuesit e Diellit.  
Jam një vajzë e thjeshtë shqiptare, lindur në Peqin nga prindër të mrekullueshëm, njërëz të ndershëm dhe punëtorë, nëna mësuese dhe babai mekanik. Mbart në gjakun tim pothuajse të tërë Shqipërinë, jug e veri.

Nga ana e babait kam patur ndikimin e karakterit të fortë dhe krenar të gjyshit vlonjat, bashkë më urtësinë dhe humorin shkodran të gjyshes. Pa lënë mënjanë këtu dhe zemërgjerësinë dhe mikriptjen e Shqipërisë së Mësme nga ana e nënës.
 
Kur dhe si erdhët në Kanada? Çfarë kualifikimi kishit?
Si shumë te rinj të asaj kohe, pasi mbarova studimet për Kontabilitet/Financë në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Tiranës në vitin 1995, isha e etur për një dritare mundësie për të avancuar në profesion dhe për të ndërtuar një jetë më të mirë. Fatkeqësisht ajo dritare nuk m'u hap në vendin tim kështu që në Shkurt të vitit 1997 emigrova në Toronto bashkë me bashkëshortin tim, Arbenin.
 
A mund ta përshkruani fillimin e jetës së këtushme?
Shumë e vështirë. Isha vetëm 22 vjeç, im shoq pak vite më i madh. Me një valixhe të vetme në dorë dhe pak para të marra hua, ne erdhëm këtu si dy zogj të dashuruar me njëri-tjetrin dhe me jetën, pa e kuptuar sa e vështire do ishte përballimi i jetës, sidomos në një vend të huaj ku nuk njeh njeri dhe komuniteti yt është pothuajse jo-ekzistent. Të merrte malli të dëgjoje një fjalë shqip. Pavarësisht se kisha mbaruar Universitetin në Tiranë me rezultate te mira, kisha punuar në profesion në Shqipëri çdo verë gjatë shkollës si dhe një vit pas shkolle, këtu nuk isha në gjëndje të gjeja një punë as si fillestare në profesion.

Kur kërkoja punë më thuhej "jeni e mbikualifikuar", "nuk keni eksperiencë kanadeze", etj, etj. Se ku do ta merrja eksperiencën pa m'u dhënë mundësia, as vetë nuk arrija dot ta kuptoja në ate kohë. Megjithatë ai ishte realiteti dhe më duhej te përballesha me të. Në përpjekje për të mbijetuar, tek shkolla falas që shkoja për të përmirësuar dhe mbrojtur gjuhën angleze, një emigrante tjetër më tregon për një mundësi punësimi 2 orë e ca me autobus (në një drejtim, dmth 4 orë në ditë udhëtim dhe vetëm për 4 orë punë) nga zona ku banoja.

Puna ishte të grumbulloja koshat blu të letrave të recikluara, domethënë, pastruese me minimum pagese, dhe ku?- në ndërtesën e një institucioni financiar. Kjo ishte ironia e fatit për një specialiste të financave që kishte ardhë nga Shqipëria. Ditën e parë të punës sikur më ra tavani mbi kokë, më dukej vetja bo, bo, ku isha katandisur. Pastaj e mblodha veten duke e justifikuar me faktin se tek e fundit ishte punë e ndershme për të siguruar jetesën. Me pas shkoja më me dëshirë në punë, sepse pasi mbaroja punën, ulesha dhe përpiqesha të kuptoja përmbajtjen e raporteve financiare që nëpunësit e atij institucioni i kishin hedhur në kosh. Kureshtja dhe dëshira për të mësuar më shtynte më tej dita-ditës.

Pas disa muajsh, ndërsa merrja autobusin për të shkuar në shkollë, të cilën e vazhdoja në mbrëmje me kohë të pjesëshme, rastësisht para meje ishte ulur një burrë i moshuar me mbesën e tij të vogël. U befasova tërësisht kur dëgjoj "Leila, mos e vër dorën tek penxhereja, bij"... u shtanga...s'më besohej të ishte "shqip" e folura e tyre. E i thashë vetes "të bënë veshët"...por ndërkohë më tradhëtoi fytyra që më shndriti dhe sytë që më ishin mbushur me lot ndërsa dëgjova fjalën shqipe. Gjyshi i Leilasë ( xhaxha Nuri Nuh ) më thotë: "shqiptare të kemi, moj bijë?". "Po, xhaxha"- i them ndërsa zëri më dridhej....Xhaxha Nuriu dhe familja e tij e mrekullueshme të ardhur nga Çamëria vite vite më parë, na hapën derën dhe na bënë të ndjejmë ngrohtësinë e familjes që e kishim aq larg dhe na mungonte aq shumë në ato vite.  
 
A ishte i mjaftueshëm shkollimi i Shqipërisë? Çfarë bëtë këtu plus? - Ka pasë momente që të jeni penduar për ardhjen në mërgim?
Shkollimi i Shqipërisë nuk qe i mjaftueshëm. Këtu m'u desh të bëja kurse shtesë për të njëjtëzuar diplomën që të njihej e barabartë në nivelin e  "Bachelor of Commerce" me universitetet Kanadeze. Pastaj më vonë, ndoqa studimet më tej dhe fitova titullin/licensën për kontabilist i pavarur në fushën e Kontabilititetit Drejtues (CMA-Certified Management Açountant designation). Megjithatë akoma nuk ndjehesha e plotësuar në profesion pasi që kur isha në Tiranë e kisha ëndërr të bëja një Master në një universitet prestigjoz. Dhe kështu aplikova dhe pata fatin mes shumë konkurruesve të pranohem dhe të kryej studimet për Master Ekzekutiv (Executive MBA - Master of Business Administration) në një nga shkollat më te mira te bisnesit ne Kanada, tek "Ivey School of Business".

Shkollimin e kam bërë mbrëmjeve dhe fundjavave ndërkohë që kam punuar në profesion me kohë të plotë, si dhe kujdesesha (me ndihmën e familjes) për mirërritjen e dy fëmijëve që solla në jetë; Redinën që tani është 15 vjeçe dhe Erlindin që sapo mbushi 9 vjeç. Patjeter që kam pasur shumë vështirësi. Nuk është e lehtë të studiosh deri në 3 të mëngjesit dhe pastaj të jesh e freskët për të përmbushur detyrimet e ditës së re.

Nuk jam penduar për ardhjen në mërgim, por në të njëjten kohë jam e përmalluar për atë ç'ka kam lënë mbrapa, Shqipërinë time që e dua shumë, së cilës sa më larg t'i largohesh, aq më shumë të tërheq. Një pjesë e shpirtit tim është atje akoma. Kalova fëmijërinë dhe rininë e hershme atje. Shpesh më duket sikur jam në mes të Oqeanit me një këmbë në Shqipëri dhe një në Amerikën e Veriut. 
 
Cilat janë shtigjet nëpër të cilat ka ecur karriera juaj këtu në Kanada? -Sa e vështirë është ngjitja në detyrë?
Punën e parë në profesion e kam gjetur nëpërmjet djalit të xhaxha Nuriut, Agako Nouch. Ai kishte një pozicion drejtues në një kompani, njeri shumë i respektuar dhe i arritur në profesion. Me shumë ndrojtje, i kam thënë: "të lutem, nëse ekziston mundësia për një punë vullnetare, do të isha shumë mirënjohëse". Më njoftoi për një punë që do ishte vetëm 2 javë. Bëra të pamundurën që të bëja më të mirën e mundshme ato dy javë, derisa njëra nga ato drejtueset kanadeze ku unë raportoja këmbënguli që ta shtynin kontratën për më gjatë.

Dhe punova në atë kompani për disa vite, ku pata mundësinë të kem pergjegjësi të ndryshme dhe të mësoj shumë në profesion. Gradualisht me përfitimin e eksperiencës dhe me shkollimin erdhën mundësi dhe më të mëdha, dhe në mënyrë të natyrshme u rrita në pozicione të ndryshme drejtuese me kompani të ndryshme. Së fundmi, kam qenë Drejtoreshë Finance për Amerikën e Veriut për një kompani me buxhet rreth 200 milion dollarë. Ndërkohë që gjithashtu jam në hapat e para të ndërtimit të biznesit tim si konsulente drejtimi.

Kujt ia dedikoni suksesin tuaj?
Aida- Gjithçka ia dedikoj familjes që më ka mbështetur në çdo hap dhe më kanë dhënë energji dhe kurajo për të vazhduar dhe kur ndjehesha tej e lodhur. Gjithashtu u jam shumë mirënjohëse dhe kolegëve e mentorëve të mi që kam patur fatin t'i kem kudo që kam punuar.
 
Diçka për familjen, bashkëshortin, fëmijët?
Njihem me shokun tim të jetës, Arbenin, që prej 20 vitesh.  Megjithëse e kishim bërë martesën me dokumenta para se të vinim në mërgim, nuk e patëm mundësinë financiare në ate kohë të bënim dasëm. Shpesh bëjmë shaka dhe themi kemi mbetur përjetë të dashuruar pasi akoma nuk kemi bërë ceremoni formale dasme. I jam shumë mirënjohëse bashkëshortit për gjithçka që ka bërë për të më mbështetur që të eci përpara e t'i përmbush aspiratat e mia në profesion. Kemi një vajzë dhe një djalë bashkë. Jam nënë e lumtur me fëmijë të mrekullueshëm. Nuk më gëzojnë vetëm arritjet e tyre në shkollë por mbi te gjitha se janë fëmijë të dashur dhe të sjellshëm.

Çfarë i ka mësuar jeta Aidës?

Ta shohesh jetën në sy dhe ta duash atë. Madje ta duash dhe më shumë kur gjërat nuk shkojnë dhe aq mirë në dukje. Nga vështirësitë dalin mësimet më të vyera. Shumë njerëz e përjetojnë ndjesinë e humbjes së jetës kur i vjen koha drejt fundit të saj. Unë jam nga ato që fatkeqësisht apo fatmirësisht (varet se në ç'këndvështrim e shikon), e kam përjetuar diçka të atillë në moshë të re. Isha pothuajse 35 vjeç kur në një ditë të bukur Gushti, një ditë para se djali të më bëhej 4 vjeç, shkëputem nga puna për të vajtur për një takim te zakonte tek mjeku gjenekolog ku mësoj se kisha kancer, po, po, atë sëmundjen e tmerrshme.


U lodha për muaj të tërë të gjeja "pse"-në. S'lashë artikuj mjekësorë pa lexuar derisa u dorëzova  në gjetjen e shkakut dhe vendosa ta përqëndroj energjinë time në luftën kundër sëmundjes dhe shërimin tim të plotë që të vazhdoja jetën pranë fëmijëve, bashkëshortit, dhe familjes. Meqë kam rastin, një lutje kam për të gjitha gratë qe e lexojnë këtë shkrim: ju lutem bëni kontrolle të rregullta tek mjeku sepse kur gjërat kapen në kohën e duhur, jane më të lehta për t'u përballuar. |Gazeta Shqiptarja|