Ka gjithçka një femër do të ëndërronte të kishte… Është e bukur, joshëse, e zgjuar, bën punën që dëshiron, ka vëmendjen e meshkujve; i ka të gjitha. Anxhela Martini, modelja shqiptare e njohur në mbarë botën, rrëfen në këtë intervistë ekskluzive për “Bluetooth” të rejat e jetës së saj. Thotë se aktualisht është e angazhuar në një projekt shumë ambicioz, për të cilin nuk jep detaje, duke pohuar nga ana tjetër se linja e rroba banjeve po ecën më së miri. Dëshira për të punuar e ka udhëhequr në jetë, dhe ky është çelësi i suksesit të saj. Sa i takon jetës private, për momentin është singëll, megjithëse i ka disa kandidatura në radhë. Kjo është Anxhela Martini, jeta e së cilës i ngjan një filmi, skenarin e të cilit po jua sjellim më poshtë në vija të trasha…
Anxhela, me çfarë po merresh këto kohë?
Aktualisht jam e angazhuar me një projekt shumë ambicioz në Los Angeles-California. Prej gjashtë muajsh jam vendosur atje, ndërkohë që prej dy ditësh jam në Texas, ku kam një punë si modele. Po punoj ndërkohë për linjën e rroba banjeve dhe për disa punë të tjera.
Qëndrojmë pak këtu; si po shkon linja e rroba banjeve?Shumë mirë, jam shumë e kënaqur. Po punojmë ndërkohë me stilistët për ndryshimin e konceptit dhe besoj se linjën e re do ta prezantojmë në Miami Fashion Week. Po nuk është vetëm linja e rroba banjeve, së shpejti marka ime do të zgjerohet, për këtë jam në Los Angeles...
Çfarë do të sjellësh tjetër?
Është surprizë. Askush nuk e di, përveç njerëzve që po punojnë për të dhe Fadilit...
OK, atëherë s’po këmbëngulim... I rikthehemi pak Anxhelës dhe jetës tënde si modele.
Jeta e një modeleje është ndryshe dhe jeta e Anxhelës është ndryshe. Jam gjithë kohën nëpër avionë, sa në një shtet në tjetrin. Jeta ime i ngjan një filmi, udhëtoj gjithë kohën, punoj, argëtohem, shpenzoj kohë me shoqërinë, me familjen, bëj shopping... I bëj të gjitha. Kush thotë nuk ka kohë, gënjen. Kohë ka për të gjitha, dëshira është ajo që me raste mungon (qesh).
Pushime, ke bërë?
Po, kam qenë në St.Tropez dhe në Sardegna.
Po për jetën private të mbetet kohë?
Sigurisht që mbetet. E thashë, unë gjej kohë për gjithçka.
A ke të dashur aktualisht?
Jo, aktualisht jam singëll, por i kam disa në radhë (qesh).
Ç’mund të thuash për të gjitha thashethemet që kanë qarkulluar për ty?Meshkuj të pasur, të suksesshëm, të famshëm... Sa prej tyre kanë qenë të vërtetë?
Tani lajmet që publikohen në media më bëjnë vetëm për të qeshur... Kur kam shoqet në shtëpi dhe dua të qesh, lexoj ato që janë shkruar për mua, hamë kokoshka dhe qeshim, qeshim me të madhe. Ajo që dua t’ju them juve, gazetarëve, është se e vërteta, është edhe më e zezë nga sa ju e paraqisni (qesh).
Është e vërtetë që ke pasur propozime nga princër?
Po, e vërtetë është... Mos më kërko emra, se nuk t’i tregoj (qesh). Ndërkohë dimë që ke miqësi me yje të njohur të showbiz-it ndërkombëtar. Mund të na tregosh si i ke njohur dhe me kë prej tyre ke më shumë miqësi?
Së pari dua të them që unë nuk i kam ‘miq’ sa për të dalë në foto... Pra, kam miqësi reale me to. Nuk dua të përmend emra, sepse do të ngjaja si mendjemadhe.
OK, atëherë po të ndihmoj unë... Craig David? Po, Craig-un e kam shumë mik. E vërteta është se kam shumë miq këngëtarë, nuk e di pse... Maxwell e kam gjithashtu shumë shok.
Është e vërtetë që, ditën kur Afërdita Dreshaj u fotografua me Leonardo Di Caprio-n ke qenë edhe ti me të?
Po, e vërtetë është...
Çfarë po bënit bashkë?
Nuk ishim vetëm unë dhe Afërdita, ishin edhe modele të tjera me ne. Na kishin ftuar në një festë.
Cila është shoqja jote më e mirë nga modelet shqiptare?
Nuk do doja t’i ndaja, po sidoqoftë po e përmend një emër... Është një model, superseksi, quhet Fadil Berisha. Ai është miku im më i mirë, vëllai, babai, njeriu që di gjithçka për mua i pari. Çdo punë, projekt apo problem që kam ia tregoj të parit Fadilit.
Ndërkohë i rikthehemi jetës si modele; a jetohet mirë duke e bërë këtë punë?
Po, jetohet mirë... Sigurisht që eksperienca që kam tani, më rendit ndër modelet e paguara mirë. Gjithçka arrihet me punë.
Je e pasur?
Jam e pasur. Jam e pasur shpirtërisht, jam e rrethuar nga njerëz të mrekullueshëm që më falin çdo sekondë dashuri dhe energji pozitive.
Ç’do të thotë për ty të jesh e bukur, seksi?
Bukuria është dhuratë nga Zoti, për sa kohë është e tillë, personi që e zotëron nuk ka asnjë meritë, deri në momentin që ai nuk e përdor atë... Kush di ta përdorë bukurinë dhe sensualitetin, po, meriton të vlerësohet.
Je e lodhur nga epiteti “seksi”?
Jo, pse duhet të jem e lodhur?!... Të gjithë duan të jenë seksi (qesh).
Vjen shpesh në Shqipëri; cilët janë miqtë e tu më të mirë këtu?
Aurela Basha, Lulzim Basha, Sali Berisha dhe taksistët që më shëtisin nëpër qytet (qesh)... Kam vërtet miq të mirë në Tiranë, disa prej tyre shumë të rëndësishëm. Kam shoqe shumë të mira edhe modelet që jetojnë aty. Më pëlqen energjia e mirë që kanë shqiptarët, janë njerëz të lumtur. Ndihem mirë sa herë vij aty. Mendoj se rinia shqiptare është me të vërtetë e mrekullueshme.
Të erdhi keq që Partia Demokratike nuk u shpall fituese në këto zgjedhje? Bota është e rrumbullakët, si e tillë, ka një kohë për të gjithë.
Social Plugin